SHBA, prindërit e të riut Ahmed Mohammed kërkojnë dëmshpërblim prej 15 milionë dollarësh

Prindërit e të riut Ahmed Mohammed, i cili për opinionin amerikan dhe atë ndërkombëtar u bë i njohur pas arrestimit në shkollë për shkak të orës së përpunuar në shtëpi, kërkojnë 15 milionë dollarë dëmshpërblim nga shkolla dhe qyteti Irving në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), raporton Anadolu Agency (AA).

I riu 14-vjeçar pas këtij rasti vendosi të largohet nga shkolla ku shkollohej, dhe pranoi ofertën për bursën nga Fondacioni i Katarit për Arsim, Shkencë dhe Zhvillim Social, e cila zakonisht u jepet inovatorëve të rinj dhe u shpërngul në Doha për të vazhduar shkollimin.

Prindërit e Ahmed Mohammedit nga administrata e qytetit kanë kërkuar 10 milionë dollarë dëmshpërblim, ndërsa 5 milionë dollarë nga shkolla. Gjithashtu, kërkojnë edhe falje me shkrim nga prefektja e qytetit Irving, Beth Van Duyne si dhe nga zyrtarë të tjerë. Ahmed Mohammed për shkak të këtyre ngjarjeve ka pësuar trauma të rënda psikologjike.

Avokatja familjare, Kelly Hollingsworth, ka thënë se është fjala për një shumë të lartë dhe se ata këtë e dinë, por se as kjo nuk është e mjaftueshme për dëmin e shkaktuar kësaj familjeje.

Pas këtij skandali, të riut Ahmed nëpërmjet rrjetit social Twitter i ka ardhur mbështetja nga e gjithë bota.

Ahmed është shtetas i SHBA-ve me prejardhje nga Sudani, të cilin më 16 shtator të këtij viti e kishte arrestuar policia amerikane pasi kishte sjellë orën e punuar nga vetë ai, për të cilën mësuesja e tij mendonte se ishte bombë.

Dënimet për ndalimin e tij kanë ardhur nga e gjithë bota, ndërsa Ahmedin për talentin e tij e ka përgëzuar edhe presidenti amerikan, Barack Obama.

Kryeministri turk, Ahmed Davutoglu, gjatë vizitës në New York në shtator personalisht u njoftua me Ahmedin dhe i premtoi përkrahje në vazhdimin e shkollimit. Gjithashtu atij i erdhi përkrahja edhe nga themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg.

Bursa e Katarit i siguron Ahmedit mbarimin e shkollës së mesme dhe vazhdimin e edukimit, kështu që edhe familja e tij vendosi të shpërngulet në Doha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button