Qeveria e Kosovës shton masat e sigurisë për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë të Kosovës për të shqyrtuar gjendjen e sigurisë në vend, duke u ndërlidhur me rrezikun real terrorist me të cilin po ballafaqohen vendet evropiane dhe më gjerë, njofton zyra e kryeministrit, transmeton Anadolu Agency.

Gjatë kësaj mbledhjeje, kryeministri Mustafa theksoi se terrorizmi tashmë është një rrezik real për qytetarët e Evropës dhe më gjerë prandaj, ka kërkuar shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet e shtetit, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur në të gjitha aspektet për t’u përball me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar.

“Republika e Kosovës është pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, dhe ka përgjegjësitë e saj në këtë luftë të përbashkët. Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, shtetet anëtare të saj, si dhe me partnerët e tjerë, deri në dhënien fund, njëherë e përgjithmonë, ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe ideologjive ekstreme, të cilat po kërcënojnë jetën, sigurinë, mënyrën tonë të jetesës dhe vlerat më humane të njerëzimit” tha kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesit e institucioneve të sigurisë, të pranishëm në mbledhje, kanë bërë të ditur se janë rritur masat e sigurisë dhe gatishmëria operative, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Përfaqësuesit e organeve të rendit, theksuan edhe planet operative për mbikëqyrjen e personave apo grupeve të caktuara, shtimin e kontrolleve në pikat e kalimit kufitar si dhe rritjen e shkëmbimit të informatave me partnerët, me qëllim të parandalimit të çdo lloj kërcënimi për sigurinë në vend.

Ndërkohë, Policia e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të rrisin vigjilencën dhe të shmangin, kurdo që kanë mundësi, vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare.

Policia ka lutur qytetarët që të mos hezitojnë të telefonojnë për çdo situatë të dyshimtë apo shqetësim, në numrat e telefonit, nga celulari: 192 ose telefonia fikse: 92 apo në numrat 080019999 ose 038550999.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button