Kongresi i Manastirit, kurorëzimi i luftës së gjatë për një  shkrim e  një gjuhë shqipe

Edhe ky nëntor, Manastirin e dikurshëm shqiptar e gjeti  ashtu si gjithmonë, te tjetërsuar dhe të zhveshur nga shpirti i kombit, ndërsa shtëpinë ku lindi ABC-ja, të zymtë , me fasadë të rrënuar dhe mjedis të lënë pas dore, që më tepër i ngjan një mulliri të braktisur, se sa ,,Muzeut “të njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë. Shpallja Muze, para disa viteve, e kësaj shtëpie qe erdhi nga historia dhe u shndërrua në histori ,si duket, ishte vetëm një farsë nga Qeveria e Maqedonisë dhe bashkëqeverisësit shqiptarë ,kinse bënë shumë për kulturën shqiptare dhe për historinë e shkronjave shqipe që u lindën aty. Ky formalitet, vetëm me prapavijë  të përfitimeve politike të Partisë shqiptare në pushtet, u dëshmua edhe në këto ditë që përkujtojnë këtë ngjarje që dikur shkëlqeu  aq shumë. Nga e tërë ajo gënjeshtër që të vetmin qëllim e kishte interesin partiak, sot mbeti  vetëm ajo ndërtesa e ,,Shtëpisë  muze”, ashtu siç  na e la historia.

Manastiri i kohës së mbajtjes së këtij Kuvendi gjithëkombëtar, nuk ishte ky i  sotmi. Qendra e Vilajetit të Manastirit që bekimin si qendër e rezistencës, kundër pushtuesve të huaj e mori që në kohën e Skënderbeut dhe shumë më vonë edhe nga Ali pashë Tepelena, tanimë ishte njohur edhe si qendër e kulturës , emancipimit dhe qytetërimit shqiptar. Popullata shumicë e këtij qyteti padyshim ishte ajo shqiptare, sepse nuk ka si të  shpjegohet të qenit  kryeqendër e këtij Vilajeti . Edhe në bazë të regjistrimeve te  asaj kohe ,kjo e vërtetë arsyetohet, kur e  kemi parasysh numrin e madh të popullatës muslimane, nga të cilët gati se të gjithë ishin shqiptarë dhe të të krishterëve, nga të cilët një pjesë e madhe ishin gjithashtu shqiptarë. Në Manastir jetonte edhe familja e njohur për veprimtari kombëtare, ajo e Qirijazëve, nga e cila dolën edhe dy vajzat më të shkolluara të kohës, dy intelektualët ,Parashqevia  dhe Sevastia që me punën e tyre profesionale dhe komunikimin në aq  shumë gjuhë ,me kohë i kishin treguar botës se shqiptarët janë popull i qytetëruar. Shoqëria ,,Bashkimi “që i kishte mbledhë intelektualët e njohur dhe patriotët që kishin bërë emër në të gjitha trojet e shqiptare, si njerëz të penës e të pushkës ,kishte një arsye më shumë që  në këtë vatër ta organizoje edhe këtë  Kongres që do i bashkonte shqiptarët për një qëllim të vetëm, pa dallim feje, dialekti, krahine e shtresë shoqërore.

Rruga e shkronjave ishte e gjatë, e vështirë, me plot sakrifica dhe e pandalshme, nëpër të cilën, edhe pse me gjemba, ecën vertikalisht ata që e deshën dritën dhe e përbuzën  errësirën shekullore .Përpjekja aq e gjatë dhe e mundimshme për shkronjat shqipe i  ka rrënjët thellë në histori. Naum Veqilharxhi, qysh në vitin 1825 e përpiloi një  abetare, shqipe me shkronja origjinale, të cilën e përpunoi dhe e plotësoi 20 vite më vonë. De Rada, me kohë e kishte mbajtur  një Kongres për  gjuhën shqipe dhe kishte përpiluar ABC-në e kësaj gjuhe ,ndërsa Konstandin Kristoforidhi më 1872 kishte përpiluar një Abetare në dy kryedialektet. Alfabeti i Stambollit, që mund të konsiderohet edhe e arritura më e madhe e  kësaj përpjekjeje ,deri në atë të Manastirit, u përpilua nga atdhedashësit e shquar, si: Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa dhe Hoxha Tahsin. Përkundër  disa anëtarëve të Shoqërisë  së Stambollit  që angazhoheshin për variante tjera, Sami Frashëri  nguli këmbë për përpilimin e një alfabeti  latin me disa shkronja greke ,për të cilin, pas një kompromisi  u pajtuan edhe anëtarët  tjerë. Me ABC-në e Stambollit, ose ,siç quhej edhe  Alfabeti  Sami Frashërit që u përhap shumë shpejt , u botuan edhe veprat e Naim Frashërit. Alfabeti i Shoqërisë ,,Agimi” dhe i atij  ,,Bashkimi” të Shkodrës, bashkë me atë të Stambollit, u bënë  temë trajtimi në Kongresin e Manastirit, sepse ky tubim ishte vetëm një finale që erdhi si nevojë gjithëkombëtare, pas ABC-ëve që  përmendëm dhe shumë të  tjerëve, të kombinuar me atë sllav, grek e arabo-turk ,të cilët megjithatë, e luajtën rolin e vet në historinë e botimit të letërsisë shqipe .

Kongresi  Manastirit I filloi punimet në Hotelin ,,Liria’’ të Gërmenjëve, më 14.11.1908,me32 delegatë dhe nga 23 të tjerë ,pa të drejtë vote. Nga arsye të ndryshme në Kongres munguan disa nga penat më të njohura te Rilindjes, ndër të cilët edhe Faik Konica dhe disa të tjerë, që e përshëndetën dhe e vlerësuan lartë këtë ngjarjehistorike. Kryetar i Kongresit ishte zgjedhur intelektuali i madh Mit’hat Frashëri, delegat nga Klubi  Selanikut dhe i atij te Janinës . Meqë në tavolinë u shtruan shumë  propozime për variante të ndryshme alfabetesh, dhe nuk ishte lehtë të vendoset, Kongresi propozoi formimin e një Komisioni të posaçëm që do të përpilonte një alfabet të veçantë me shkronja latine. Edhe pse ky Komisioni pas një pune të lodhshme dhe shumë serioze  e përpiloi një alfabet të ri, që duhej të miratohej në Kongres, sërish nuk u gjet një gjuhë e përbashkët për miratim, prandaj, më datë 22.11.1908,kur po i mbyllte punët ky Kongres, u propozua që të dilet me dy alfabete, me atë që u përpilua nga Komisioni i Kongresit dhe atë të  Stambollit, për ta zgjedhur vetë populli se për cilin do përcaktoheshin. Pas këtij vendimi, pati edhe shumë protesta, të organizuara nga qarqe të ndryshme, përkrahës të alfabetit  arabo-turk, që nuk hiqnin dorë aq lehtë nga përdorimi i tij . Nga përdorimi  paralel i dy alfabeteve për një kohë katërvjeçare, ai i Manastirit, u tregua më i kapshëm, nga shumica e shqiptarëve dhe kështu e fitoi  betejën duke mbetur i  vetmi në përdorim, deri në ditët e sotme. Epilogu përfundimtar i kësaj gare ,erdhi  Ditën e shpalljes së pavarësisë më 28 Nëntor 1912,kur Ismail Qemali e lexoi  Deklaratën e shkruar me këto  shkronja.

ABC-në e gjuhës shqipe, që doli nga Kongresi I Manastirit, pasi e kishte fituar betejën në një konkurrencë jo edhe të vogël, më vonë  do e presin edhe shumë beteja e pengesa  tjera, nga ato të vet shteti shqiptar që për arsye të njohura ideologjike i  kishte  fshirë  pamëshirshëm  emrat e njerëzve më meritorë për këtë ngjarje, si: Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin e ndonjë tjetër, deri në kufizimin e përdorimit e madje  edhe të ndalesës ës  tërësishme të përdorimit të  gjuhës së shkruar shqipe, në trojet që mbetën jashtë shtetit shqiptar. Kjo e arritur historike do thoja ,që bashkë me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972,shënojnë epokat më të ndritura të gjuhës shqipe, sot duhet të ruhet , të respektohet dhe të përdoret kudo ku jetojnë shqiptarët. Edhe ky përvjetor, si edhe ato të mëparshmit, Gjuhën shqipe në Maqedoni dhe në  shumë hapësira shqiptare e gjeti të përbuzur ,të nënçmuar , të deformuar, dhe me përdorime gjysmake. Edhe pas plot 14 viteve , nga Marrëveshja e Ohrit, kur pritej një përdorim më i avancuar i kësaj gjuhe, ngjau ofendimi më i madh, që nuk kishte ndodhur  as në sistemin komunist të Jugosllavisë së Titos.  Kjo gjuhe, tanimë  e humbi edhe togfjalëshin  Gjuhë shqipe, për t’u zëvendësuar me ,,20 përqindëshin”, politikë të një Qeverie më antishqiptare, që nga rënia e komunizmit, edhe pse brenda saj  gjithmonë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit shqiptarë, të cilët përveç  interesit të vet ,nuk kanë carë kokën për këtë gjuhë dhe përdorimin e saj të mirëfilltë zyrtarë. Gjuha shqipe kishte kaluar  një    rrugëtim të vështirë e me plot pengesa gjatë historisë, për të arritur deri në Kongresin e Manastirit dhe atë të Drejtshkrimit, për t’u  konsolidua si  e plotë dhe standarde . Sot, përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë duhet të këmbëngulin më tepër në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet dhe institucionet shtetërore e lokale, se sa të  rrahin gjoks se e  paskan  rinovuar shtëpinë muze, ku lindi ABC-ja shqipe ,godinë kjo që assesi t’i rregullohen çështjet pronësore-juridike  dhe të sigurojë një fond të qëndrueshëm për mirëmbajtje, ndërsa shqiptarët, kudo qofshin ato, ta përdorin drejtë e pa gabime,  duke e respektuar standardin drejtshkrimor të saj, si të arriturën po ashtu historike  që doli nga Kongresi i Drejtshkrimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button