Neziri: BDI mund t’i mbrojë të drejtat e shqiptarëve edhe nga opozita

Deri më tani, bazuar në Marrëveshjen e Majit, partitë politike fituese nga kampi shqiptar dhe ai maqedonas kanë krijuar Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Marrëveshjet bëhen për t’u respektuar, por ata janë edhe të limituara. Çështja është, a duhet partitë shqiptarët patjetër të hyjnë në Qeveri pa pasur harmoni të agjendave në mes dy partive koalicionuese.

“Shqiptarët kanë bërë luftë për t’u respektuar vota e qytetarëve. BDI pas këtyre zgjedhjeve jo me çdo kusht do të hyjë në Qeveri, nëse nuk respektohet programi dhe platforma e Bashkimit Demokratik për Integrim”, kështu është shprehur kryetari i Shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Bekim Neziri, raporton Portalb.

BDI deri më tani kanë qëndruar në Qeveri edhe pse thuajse nuk janë përfillur në çështjet ku bartëse ka qenë VMRO-DPMNE.

“Ne nuk mund të pajtohemi me disa mekanizma që mundohen të kontrollojnë gjithçka. Kur faktori maqedon mundohet të manipulon me faktorin shqiptar nuk është dukuri e mirë. Andaj e para që duhet të bëhet pas zgjedhjeve është të ulemi, pavarësisht asaj se kush është fituesi, VMRO apo LSDM dhe t’i shpalosim platformat tona. Nëse pala tjetër nuk e inkorporon platformën tonë, nuk do të thotë se ne jemi pjesë e Qeverisë. Kuptohet që për këtë punë do të vendosin organet partiake, por kjo do të thotë se jo me çdo kusht do të jemi pjesë e Qeverisë”.

Në pyetjen e Portalb se a do të thotë qëndrimi i tij se nëse fiton VMRO-DPMNE nuk do të hyjnë në Qeveri, Neziri me përgjigje:

“Kjo është situatë hipotetike, nuk mund të përgjigjem në një pyetje hipotetike. Nëse fiton VMRO-DPMNE dhe i pranon kushtet dhe platformën e BDI-së do të jemi pjesë e Qeverisë”, përgjigjet Neziri për Portalb, duke shtuar se BDI-ja do të qëndron fortë në qëndrimet e veta dhe cilado parti që fiton duhet ta respektojë platformën e BDI-së.

Sipas tij, BDI mund t’i mbron interesat e shqiptarëve edhe prej opozitës pavarësisht asaj se i fiton zgjedhjet./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button