“Ne nuk jemi terroristë, jemi njerëz që kërkojmë një të ardhme më të mirë”

Pavarësisht sulmeve të fundit terroriste në Paris, në Maqedoni vala e refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme nuk ka të ndalur. Nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) njoftojnë se në baza ditore në territorin e Maqedonisë kalojnë nga pesë mijë deri në 10 mijë refugjatë.

Ekipi i Anadolu Agency (AA) gjatë vizitës në kampin e refugjatëve në kufirin jugor të vendit, ka konstatuar grupe të mëdha të refugjatëve, të cilët të tmerruar bindshëm mohojnë se sulmet në Paris janë kryer nga arabë apo muslimanë.

Njëri nga refugjatët e frikësuar ishte edhe Ali Salah nga Siria, i cili shprehet se sulmet terroriste në Paris nuk janë kryer nga arabët. “Ai sulm për të cilin flitet ditëve të fundit nuk është sulm nga arabët. Çdo kush mund ta bëjë një gjë tillë dhe të thotë se jam arab, por mendoj se ai nuk është arab apo musliman. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër, patjetër duhet të largohemi nga vendi ynë ku mbizotëron dhuna”, theksoi ai.

Në kampin e refugjatëve ka edhe refugjatë të cilët frikësohen nga ajo se çka i pret kur të arrijnë në vendet e Evropës. Khalidi nga Siria, theksoi se sulmi i fundit sado pak i frikëson refugjatët, sepse sipas tij, këto lajme të tmerrshme ndikojnë tek refugjatët, të cilët vetëm dëshirojnë të largohen nga lufta dhe dhuna.

“Të gjithë pasqyrojmë vetveten, kështu që edhe terroristë pasqyrojnë vetveten. Ata nuk pasqyrojnë kombin, vendin apo fenë e tyre. Kur ne bëjmë gabime, nuk mund të themi se kemi gabuar për shkak të fesë apo vendit tonë, por gabojmë për shkak të mendjes sonë të sëmurë. Nëse ti je person vërtetë i keq, nuk do të thotë se je për shkak të fesë, vendit apo kulturës tënde”, theksoi Khalidi.

Në afërsi të Khalidit ndodhej edhe një nëntë vjeçar, i cili me xhaxhain e tij ishte nisur për në Evropë, siç tha, për të punuar dhe për të siguruar transportin e prindërve të tij për në Evropë, të cilët ndodhen në Siri. “Dua të shkoj në Gjermani të punojë, pastaj të marr babain dhe nënën time të jetojmë së bashku, sepse në vendim tim ka luftë’, u shpreh nëntë vjeçari nga Siria.

Në hyrje të kampit të refugjatëve ishte edhe siriani Ahmad Aziz, i cili thotë se sulmet në Paris nuk e frikësojnë, por as nuk e ndalojnë që të arrijnë në destinacionin e tij të preferuar.

“Në grupin tim nuk ka terroristë. Ne njihemi me njëri-tjetrin dhe nuk kemi frikë të udhëtojmë drejt destinacionit tonë të preferuar, sepse nuk jemi terroristë. Ne nuk kemi qëllime të këqija. Ne jemi vetëm disa njerëz normalë me fëmijë dhe duam një të ardhme më të mirë për ata”, u shpreh siriani Ahmad Aziz.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button