Sot festohet Kurban Bajrami! Urime!

Sot besimtarët myslimanë në Maqedoni dhe botë festojnë festën e Kurban Bajramit, e cila është një nga festat më të rëndësishme të besimit Islam. 

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame i Republikës së Maqedonisë Reis ul Ulema Sulejman Rexhepi dërgoi urim të Bajramit në të cilin të gjithë myslimanëve ua uron festën e Kurban Bajramit. 

Kjo festë thuhet në mesazhin i fton të gjithë besimtarët të jenë të përkulur, të arsyeshëm, të reflektojnë kthimin e sinqertë në parimet e Fesë Islame, të kultivojnë vlera humane dhe njerëzore ndaj të gjithëve pa dallim feje dhe që mendon ndryshe, me theks të veçantë ndaj të afërmve, fqinjëve dhe ndaj gjithë atyre që kanë nevojë për dashurinë dhe dorën tonë. 

“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i saj, por te Ai arrin devotshmëria ( bindja) e juaj ( Suretul Haxh: 37)”, fillon mesazhi i Reis ul Ulemasë me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Falenderimet tona i takojnë vetëm Allahut të Plotëfuqishëm i cili na e mundësoi përjetimin e festës së madhe të Kurban Bajramit, madhështitë e së cilës festë i hasim në aspektin fetar, shoqëror, humanitar dhe kulturor. 

Sigurisht se shpirti i kësaj feste është mishërim i parimeve fundamentale islame, i moralit dhe përkushtimit tonë ndaj vlerave fetare, humane dhe njerëzore sepse Bajrami është festë e cila me shumë reflektim demonstron dashurinë, respektin dhe nënshtrimin tonë ndaj porosive hyjnore.” thuhet mes tjerash në urimin e tij.

Urime dërguan edhe kryeministri dhe përfaqësuesit politik shqiptar.

Sipas traditës, festa filloi me faljen e namazit të Kurban Bajramit në të gjitha xhamitë dhe objektet e tjera fetare.

Me Kurban Bajramin mbaron dhe haxhi, që është kushti i pestë i Islamit, me të cilin dëshmohet solidariteti dhe mirëqenia. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit mysliman theren kurbanë, që simbolizon sakrificën për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit. Familja që e ther mund të mbajë aq mish sa i duhet dhe pjesën tjetër duhet ta ndajë me familjet e varfra.

Karakteristike e kësaj dite janë dhe ëmbëlsirat dhe zbukurimet. Në çdo familje myslimane gatuhen gjëra të ëmbla të cilat duhet t’u serviren dhe miqve. Ndërkohë të gjithë besimtarët si dhe shtëpitë e tyre duhet të stolisen sa më mirë të jetë e mundur.

Besimtarët flijojnë në orët e para të mëngjesit qindra qengja dhe desh për të evokuar ngjarjen e shenjtë, ku zë fill kjo festë, ndër më të rëndësishmet për fenë myslimane.

Redaksia e Portalb të gjithë besimtarëve ua uron këtë festë të madhe fetare. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button