A ka kaluar nëpër Maqedoni i dyshuari për sulmin në Paris?

Shtetasi i Sirisë Ahmed Almuhamed, për të cilin supozohet se është njëri nga terroristët në Paris dhe u tha se ka kaluar nëpër territorin e Maqedonisë, akoma mbetet mister. Autoritetet maqedonase ende po heshtin dhe nuk e kanë konfirmuar këtë gjë.

Greqia dhe Serbia dje konfirmuan se personi me këtë identitet, që ka kaluar nëpërmjet të ashtuquajturit marshit ballkanik të refugjatëve, është regjistruar nga shërbimet e tyre dhe nxorën të dhëna të sakta .

Asnjë reagim s’ka nga autoritet maqedonase, para se gjithash nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), e cila është kompetente për regjistrimin e refugjatëve që kalojnë nëpër vendin tonë dhe dhënien e lejeqëndrimit për 72 orë.

Në këtë rast ka dy mundësi: ose Ahmed ka qenë i regjistruar – ose nuk ka qenë. Ende nuk dihet nëse autoritet franceze kanë kërkuar informacione nga Maqedonia për lëvizjen e tij.

Burime që kanë të bëjnë me këtë rast për “Meta” thonë se Almuhamedi, me siguri ka kaluar nëpërmjet territorit maqedonas, mirëpo ka gjasa që të mos jetë regjistruar fare, sepse një pjesë e madhe e refugjatëve të cilët hynë në vend nuk regjistrohen për shkak të “vrimave” (hapësirave) të kufirit jugor, që nga forcat e sigurimit shumë vështirë mund të kontrollohen.

Burim të Meta-s thonë  se nëse ka një fluks të madh refugjatësh që futen njëherësh në Maqedoni, regjistrimi i të gjithë është i pamundur. Nëse futen njëherësh 5 mijë, regjistrohen vetëm gjysma. Kurse nëse futen 10 mijë, përqindja e refugjatëve të regjistruar është shumë e vogël.

Mangësi tjetër është mospasja e kushteve për daktiloskopi (marrja e shenjave të gishtave) për refugjatët me çka nuk mund të bëhet identifikimi i plotë. Një projekt i këtillë është nisur dhe duhej të financohej me para të Bashkimit Evropian, mirëpo në fund nuk është realizuar.

Nëse Almuhamed  ishte regjistruar në vend, këtë të dhënë organet kompetente do të mund ta gjejnë shumë lehtë, sepse shërbimet greke dhe serbe dolën me të dhëna të sakta për qarkullimin e tij nëpër vendet e tyre.

Ministri grek  i politikës së migrimit, dje në një konferencë për shtyp tregoi të gjitha dokumentet nga regjistrimi i Almuhamedit në Greqi, me fotografi dhe shenjat e gishtave.

Sipas Muzales, ai në Greqi ka arritur nga Turqia më 3 tetor, me anije. Ai ka qenë i regjistruar dhe identifikuar në ishullin Leros, ku i janë marrë shenjat e gishtave dhe ka marrë lejeqendirm prej 6 muajve në Greqi. Disa ditë më vonë, Almuhamed ka arritur në kufirin e Maqedonisë, e pastaj është futur në Serbi ku Më 7  tetor ka qenë i regjistruar në Preshevë, dhe që atje ka vazhduar drejt Kroacisë. Atje ka qëndruar rreth gjashtë orë, prej ku ka kaluar në Hungari e pastaj në Austri.

Pasaporta me emrin e tij është gjetur afër trupit të njërit prej terroristëve që janë hedhur në erë në afërsi të “Stade de France”, ku të premten u luajt ndeshja miqësore mes kombëtares së Francës dhe Gjermanisë. Shërbimet franceze, ndërkaq, akoma hulumtojnë nëse pasaporta e gjetur është e terroristit dhe a bëhet fjalë për dokument origjinal, ose siç shkruajnë mediat botërore, me qëllim është  vendosur afër terroristit që të nxitet akoma më shumë antagonizmi i Evropës kundër refugjatëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button