BDI-ja, përshëndet takimin Merkel – Nimetz

Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet takimin midis Kancelares së Gjermanisë, Anxhela Merkel dhe ndërmjetësit të OKB për çështjen e emrit, Metju Nimic, në Berlin.

Bashkimi Demokratik për Integrim gjithashtu mirëpret edhe komunikatën e misionit të përhershëm të Francës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në lidhje me nevojën e zgjidhjes së çështjes së emrit.

“Në 50 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Elisesë midis Konrad Adenauer dhe Sharl De Goll që simbolizon pajtimin e madh Franko-Gjerman dhe vijimin e Evropës së Bashkuar, ky angazhim i Francës dhe Gjermanisë për të vijuar me shembullin e pajtimit edhe në Ballkanin perëndimor është më se i mirëseardhur dhe i domosdoshëm”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Bdi-ja, vlerëson se ky investim përmbyllet vetëm me integrimin përfundimtar të vendeve të rajonit në NATO dhe BE. “Andaj, këto përpjekje të Francës, Gjermanisë, SHBA-ve, NATO-së, BE-së dhe vendeve tjera Evropiane, gjejnë partner tek të gjithë ne pranë Bashkimit Demokratik për Integrim sepse Bashkimi Evropian dhe NATO janë prioritet dhe përcaktim i joni programor dhe strategjik”, thuhet në komunikatë.

Duke marrë parasysh se pengesë për këtë proces jetik paraqet moszgjidhja e çështjes së emrit, BDI-ja,  mirëpret angazhimin konkret të miqve tanë ndërkombëtar drejt mbylljes së këtij kontesti dhe inkurajon përpjekje edhe më të theksuara për të arritur pajtimin përfundimtar në Ballkanin Perendimor dhe për ti mbyllur hasmëritë shekullore pikërisht në vitin kur shënojmë 100 vjetorin e luftërave ballkanike.

Lajme të ngjashme

Back to top button