Dhelpra dhe cjapi!

Një dhelpër ra njëherë në pus dhe u detyrua të presë, sepse nuk dinte si të dilte. Kur një cjap, i shtyrë nga etja, erdhi në atë pus dhe e pa dhelprën brenda, e pyeti se a ishte uji i mirë. Duke fshehur fatkeqësinë e saj, dhelpra filloi ta lavdërojë, duke i thënë se uji ishte shumë i mirë. Cjapi zbriti poshtë, pasi e kishte marrë etja dhe kur e shoi etjen filloi të mendojë me dhelprën se si mund të dilte prej pusit. Dhelpra i tha se kishte menduar diçka mirë për të shpëtuar të dy: Çoji këmbët e para në murin e pusit dhe afroji brirët. Kur të ngjitem unë lart nëpër kurrizin tënd, kam për të tërhequr mandej edhe ty. Pas një bisedimi të gjatë, cjapi pranoi. Dhelpra kërceu në shpatullat e tij, qëndroi në brirë, doli prej pusit dhe filloi të largohet. Kur cjapi e qortoi që nuk e mbajti fjalën e dhënë, dhelpra u kthye e i tha: I dashuri cjap, sikur të kisha aq mend sa ke qime në mjekër, ti as që do të zbritje në pus para se të mendoje se si kishe për të dalë.

Rasti i UNESCO-s

Edhe përkrahja e aleatëve tanë është thikë me dy tehe. Në njërën anë aleatët tanë për dialogun me Serbinë thoshin që Serbia, përkundër mosnjohjes së pavarësisë, është pajtuar që mos ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në institucione dhe agjenci ndërkombëtare, kurse në anën tjetër po na dëshmohet e kundërta. Kjo u dëshmua edhe në UNESCO. Prandaj, duhet që dialogu me Serbinë të rishikohet, sepse s’ia vlen që të vazhdohen bisedimet derisa Serbia bën një luftë të ashpër kundër shtetit të Kosovës, për ta penguar çdo nismë dhe anëtarësim të Kosovës në institucione dhe agjenci ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës duhet t’ia bëj me dije edhe bashkësisë ndërkombëtare se nuk do i vazhdojë më bisedimet, derisa Serbia sillet në mënyrë raciste dhe fashiste dhe bën luftë të ashpër ndaj shtetit të Kosovës.

Duke e njohur Serbinë dhe agresivitetin e saj ndaj shqiptarëve dhe Kosovës, nuk është dashur që në fillim pala kosovare të futej në bisedime pa kushte, sepse kështu s’jemi të barabartë në bisedime. Një ndër ato kushte do të duhej të ishte njoha e pavarësisë së Kosovës, kërkimfalja dhe kompensimi i dëmeve të luftës. Tek atëherë do të ishim të barabartë në bisedime dhe nuk do të ndodhnin kurrë këto pengesa dhe dështime, siç na ndodhi dështimi në UNESCO, që nuk do të kalojë pa pasoja për anëtarësimin e Kosovës, në institucione dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.

Popullata e Kosovës ka mbetur si në kafaz

Pasi që deri më tash Serbia nuk është paditur për gjenocidin që ka bërë në Kosovë, nga Qeveria e tanishme dhe qeveritë e mëhershme të Kosovës nuk besoj që do të paditet as sot e as nesër, derisa në skenën politike i kemi këta pushtetarë dhe këtë klasë politike, që mendjen e kanë vetëm tek pushteti, vjedhja, hajnia, tenderomania, paraja dhe luksi, dhe falë të cilëve jemi në këtë gjendje të mjerueshme.

Nga këto bisedime me Serbinë, Kosova deri më tash nga BE-ja nuk ka arritur ta nxjerrë të paktën liberalizimin e vizave, për popullatën e saj që ka mbetur si në kafaz, e lëre më diçka më shumë. Kurse Serbia, edhe pse shtet agresor, falë këtyre bisedimeve dhe favoreve që i bëri Kosova me nënshkrime në dëm të vetes, i fitoi gati të gjitha, liberalizimin e vizave, statusin kandidat për BE, ndihma ekonomike dhe një ‘’autonomi’’ për serbët në Kosovë, me krijimin e Asociacionit të komunave serbe, ose ndryshe siç po e quajnë serbët “Zajednica’’.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button