President shqiptar, jo edhe kësaj radhe

Kultura politike dhe mungesa e tolerancës ndëretnike në Maqedoni janë arsyet kryesore pse shqiptarët nuk mund të shpresojnë në një kandidat shqiptarë të përkrahur edhe nga partitë maqedonase në këto zgjedhje. Zërat se BDI-ja e Ali Ahmetit do të tentojë të gjejë kandidat shqiptarë të pranueshëm për palën maqedonase, janë tepër optimiste për analistët. Albert Musliu thotë për Portalb se një hap i tillë do të ishte ideal, por  që është tepër herët për të shpresuar, së paku në këtë cikël zgjedhor.

“Me negociata të mira, me zgjedhjen e kandidatit të pranueshëm për të dyja palët, do të ishte produktiv për interesin e popullatës shqiptare. Kështu do të kishim rezultat më të mirë se sa kishim në eksperiencat e kaluara, veçanërisht eksperiencën e fundit. Të zgjidhet një kryetar shqiptar do të ishte ideale, sepse do të bënte një balans politik në këtë koncept politik që e ka Maqedonia. Gjithësesi nëse ajo ndodh shqiptarët do ti pranonin më lehtë institucionet, do ta ndjenin veten më shumë si pjesë e shtetit, institucioneve. Nëse një shtet si Amerika ka mundur ta bëjë këtë,përse të mos mundet edhe Maqedonia. Fatkeqësisht niveli i kulturës politike i shumicës këtu e ndalon së paku edhe një ose dy cikluse realizimin pozitiv të kësaj kandidature”, deklaroi Albert Musliu.

Edhe analisti tjetër Petar Arsovski deklaroi se një shqiptarë për president do të ishte ideale për imazhin ndërkombëtar të shtetit. Por edhe ai pranon se është akoma herët, duke shtuar se më së paku që mund të bëhet është që partitë maqedonase të propozojnë kandidat të pranueshëm edhe për shqiptarët.
 
“Mendoj se kjo do të ishte një ide e shkëlqyeshme. Çdo parti maqedonase do duhet të propozojë kandidat që do të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët. Unë qëmoti mendoj se për përmirësimin e imazhit të shtetit në nivel ndërkombëtar duhet të zgjedhim kandidat shqiptar, por kjo është shumë larg. Do  të ishte mëse ideale poqëse një kandidat shqiptar do ta zgjedhnim për kryetar. Kjo është një ideal që nuk mund të arrihet së paku në këto zgjedhje, por gjithësesi duhet të përmirësohet mendimi për kandidatët tek votuesit shqiptarë. Të dyja partitë më të mëdha maqedonase deri tanë kanë treguar se janë shumë afër me vota dhe për këtë shkak, votat e shqiptarëve janë vendimtare”, u shpreh Petar Arsovski.  

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni do të mbahen në mars të vitit 2014, ndërsa partitë ende nuk kanë publikuar emrat e kandidatëve të tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button