Banja shëruese e Kumanovës, resurs i pashfrytëzuar natyror (FOTO+VIDEO)

Banja e Kumanovës gjendet në lagjen “Uji i nxehtë” të fshatit Proevce, rreth 3 km larg qytetit të Kumanovës. Banja është shëruese për shumë sëmundje, por tashmë tre vite mbetet një resurs natyror i pashfrytëzuar. Qytetarët e vetëdijshëm për vetitë shëruese të ujit nuk janë ndalur së mbushuri ujë për pije nga çezmet. Ndërsa shumë të tjerë e kujtojnë me nostalgji se sa u përmirësohej shëndeti pasi “bënin banja” në ujin e vakët. Sipas sektorit komunal për urbanizëm, në planin urbanistik do të përfshihet edhe banja në fjalë.

“Nga Koçani kemi ardhur për të mbushur ujë. Po bëhet tashmë një vit që kur kemi filluar ta pijmë 95% vetëm këtë ujë dhe sapo e harxhojmë vijmë menjëherë. Ky ujë është i mirë për lukthin.”-deklaroi për Portalb Julianka Sukolovska, 29 vjeçare.

“Uji është i mirë për nervat. Uji është super. E pij që në moshën 5 vjeçare vetëm këtë ujë dhe nuk e ndërroj me asnjë tjetër. Do të vazhdoj të vij e të mbush këtu derisa të ketë kush të më sjellë, se më nuk mund të vijë vetë.”-shtoi një 72 vjeçar vendas.  

“Dikur mezi prisja të ngrohej pak moti dhe të ‘bëja banja’ këtu. Uji më bënte të ndjehesha shumë më e shëndoshë. Tani të paktën vij të pij nga uji, që mund ta mbushim nga këto çezmet. Para disa viteve ka qenë një gyp këtu, shumë qytetarë janë shëruar prej sëmundjes së sinusit vetëm duke nuhatur në të.”-kujtoi një qytetare me nostalgji.

Banja e Kumanovës

Sipas REL, para më se katër dekadash mjeku, Branko Jovanovski kishte shkruar se Banja e Kumanovës në përbërjen kimike është identike me Banjën e Bukoviçkës dhe Vërnjaçkës në Serbi, me Visha Banjën në Francë, me burimet Wildungen dhe Mariana Lazne në Republikën Çeke. Sipas disa analizave, banja është edhe më e mirë, pasi nuk i ka mangësitë që ata kanë.

Banja e Kumanovës shëron sëmundje të sistemit nervor dhe sistemit të tretjes. Është e dobishme ndaj gastritit, ulçerës në zorrën dymbëdhjetë-gishtore, ndaj hepatit miokardit, sëmundjeve kronike inflamatore të zorrëve dhe formave të lehta të diabetit, për traktin urinar dhe fshikëzën, veshkat, neurozat, pagjumësinë, lodhjen nervore dhe mendore, problemet gjinekologjike, për problemet e dhëmbëve (veçanërisht atë të pranisë së fluorit) etj.

Nga Sektori për urbanizëm, aktivitete komunale dhe mbrojtje të mjedisit dhe natyrës deklaruan: “Në rrjedhë është procedura për përgatitjen e planit të përgjithshëm urbanistik dhe planit të detajuar urbanistik, në të cilin do të përfshihet kompleksi i banjës.” Nga sektori kompetent komunal nuk komentuan rreth çështjeve tjera, përfshirë këtu privatizimin e banjës para shumë viteve nga ndërmarrja “Biserka”, tashmë e falimentuar./Portalb.mk

Banja e Kumanovës

Banja e Kumanovës

Banja e Kumanovës

Banja e Kumanovës

Banja e Kumanovës

Banja e Kumanovës

Banja e Kumanovës

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button