Trump propozon dëbimin e 11 milionë emigrantëve

Kandidatët republikanë për garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara kanë diskutuar gjerësisht për ligjin e emigracionit gjatë debatit të radhës së kësaj force politike.

Ka qenë përsëri Donald Trump që ka goditur me deklaratat e tij. Miliarderi është shprehur se vendi duhet të dëbojë 11 milionë emigrantë dhe duhet të ngrejë një mur gjigand në kufirin jugor me Meksikën.

Ai është kundërshtuar menjëherë nga Jeb Bush dhe John Kasisch. Këta të fundit e cilësuan planin e Trump një çmenduri.

Bush tha se dëbimi i refugjatëve të jashtëligjshëm do të ndante shumë familje, ndërkohë që John Kasich dha idenë e pagimit të një takse në këmbim të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara.

Nga ana tjetër, senatori i Teksasit, Ted Cruz, nënvizoi se Amerika duhet t’i përmbahet legjislacionit aktual të emigracionit duke fuqizuar sundimin e ligjit.

Më tej, kandidatët diskutuan për politikat ndërkombëtare. Donald Trump tha se ai i mbështet operacionet ushtarake të Rusisë në Siri, teksa e ka vënë në pikëpyetje ndihmën që u jepet rebelëve. “Ne nuk mund të bëhemi policët e botës”, u shpreh miliarderi.

Përplasja më e madhe në debat ndodhi kur senatori i Kentakit, Rand Paul, sulmoi senatorin e Floridës, Marco Rubio, për buxhetin e mbrojtjes, duke thënë se nuk mund të jesh konservator, ndërkohë që shpenzon si një liberal.

Kandidati kryesues në sondazhet e republikanëve, Ben Carson, u përball me disa pyetje mbi të kaluarën, por pozita e tij në klasifikim nuk u rrezikua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button