Çështja e emrit, liderët botërorë si ndërmjetësues joformal

Mos suksesi i ndërmjetësuesit Metju Nimic që të arrijë kompromis mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, mund të kyç në këtë proces ndërmjetësues të tjerë “të pashkruar”. Në funksion të kësaj, ishte edhe takimi i kancelares Angela Merkel me ndërmjetësuesin Metju Nimic, për tu informuar për detajet e këtij kontesti, por edhe vizita e kryeministrit Edi Rama në Shkup, 3 ditë pas qëndrimit në Tiranë të presidentit grek Karolos Papulias. 

Pas informimit nga afër me çështjen e emrit, nga kabineti i Merkelit deklaruan se  “pengesat përderisa ekziston vullnet politik adekuat në kryeqytetet Athinë dhe Shkup do të ishin të tejkaluara”. Takimin e tillë kryeministri Gruevski e vlerësoi si pozitiv dhe shpresëdhënës në drejtim të zgjidhjes së kontestit.

“Tërësisht është e qartë se pse Numic është ftuar te kancelarja gjermane Merkel. E dimë se me çka merret ai dhe për cilën çështje është vendosur nga BE-ja dhe me siguri ajo do të ishte tema kryesore dhe qendrore. Tërësisht është e qartë se Gjermania dëshiron të ketë informata më të sakta dhe më  konkrete. Gjermania është serioze dhe ndoshta njëra nga lojtarët më të mëdhenj në Evropë në pjesën e ngjarjeve politike”, u shpreh Gruevski.

Ndërkohë edhe në BDI nuk humbën kohë, duke dashur që të marrin mbi vete meritat e takimit të Angela Merkelit me ndërmjetësuesin Nimic. Zëdhënësi Bujar Osmani përmes rrjeteve sociale përkujtoi se ky takim vjen pas vizitës së Ahmetit në Gjermani.

Edhe vizita e Edi Ramës në Shkup vjen në moment që të lë të mendosh se qëllimi kryesor i vizitës është ndërmjetësimi dhe përcjellja e ndonjë mesazhi të palës greke. Edhe pse Rama mohoi të ketë marrë rolin e postierit, është e qartë se çështja e emrit ka qenë temë e bisedimeve sin ë takiminb mes Ramës dhe Gruevskit në Shkup, ashtu edhe në takimin mes Ramës dhe Papulias në Tiranë javën e kaluar.

Analistët shprehen skeptikë se liderë të huaj, posaçërisht ata të klasit të Angela Merkel të marrin përgjegjësinë për ndërmjetësim në këtë kontest, por theksojnë se çdo lehtësim është i mirëseardhur. 

 “Nuk do të thoja se ata janë ndërmjetësues. Nga deklaratat e Merkelit si dhe kryeministrit të Shqipërisë Rama nuk shof ndonjë brengosje për përparimin e Maqedonisë drejt integrimeve euroatlantike. Kuptohet se rolet e njërit dhe tjetrit janë shumë të ndryshme. Gjermania është një shtet mjaft ndikues në BE, që vërtetë mund të ndihmojë, por duke e ditur politikën e Gjermanisë dhe faktin se ajo nuk intervenon direkt në punët e shteteve, si qëndrim i tyre. Është shumë e rëndësishme që ne të kuptojmë se puna kryesore duhet të buroj prej neve, qytetarëve të Maqedonisë e para së gjithash e partive politike në qeveri dhe në opozitë”, tha për Portalb ish ministri i jashtëm Denko Malevski. 

Opinioni në vend ditë e më shumë po intensifikon debatin për çështjen e emrit. Sipas deklaratave të disa prej funksionarëve vendas, propozimi i fundit i Nimic ka të bëjë me përcaktuesin gjeografik “e Epërme”, ndërsa mospajtimi kryesor mes dy shteteve është nëse ky përcaktues duhet të qëndrojë para, ose pas emrit “Republikë”. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button