Trepça në prag të kolapsit financiar

Ndërmarrja Trepça është në gjendje të rëndë financiare, ku për pasojë shumë shpejt pritet që të mos ketë mundësi të pagesës së rrogave për minatorët. Deri te kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mos realizimit të kontratave për shitjen e koncentratit të plumbit dhe zinkut, e cila ishte lidhur në fund të muajit shtator.

Mirëpo, menaxhmenti i Trepçës po tenton ta manipuloj opinionin përmes mediave, duke thënë se kjo kontratë është duke u realizuar, të cilët i ka demantuar Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.

Menaxheri i Trepçës, Ahmet Tmava, e ka udhëzuar gazetarin e portalit Veriu.info që detajet e shitjes së koncentratit sipas kontratave të shtatorit, të merren nga Hysni Beqiri, shef i shitjes në Trepçë.

Në një prononcim për Veriu.info, Hysni Beqiri, ka thënë se në muajin tetor Trepça ka eksportuar një mijë e pesëqind (1500) ton koncentrat të plumbit dhe 1 mijë (1000) ton koncentrat të zinkut.

“Me kontratën e shtatorit janë eksportuar 1500 ton koncentrat të plumbit dhe 1000 ton koncentrat të zinkut, ashtu siç e kemi paraqit edhe në doganë”, thotë Beqiri, sipas të cilit kjo dërgesë është bërë në tetor.

I pyetur se sa është sasia e koncentratit të plumbit dhe koncentratit të zinkut të regjistruar në Doganat e Kosovës nga ndërmarrja Trepça apo ndonjë kompani tjetër në periudhën 25.09.2015-01.11.2015. Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës ka thënë: “Gjate kësaj periudhe nuk ka pasur fare Import apo eksport te këtij malli”.

Madje, zëdhënësi Stavileci e ka treguar edhe dokumentin zyrtar, që e dëshmon se nuk ka pasur eksport e as import të koncentratit të zinkut dhe plumbit.

Burime të Veriu.info nga Trepça kanë bërë të ditur se pas lidhje së kontratave më 25 shtator për shitjen e këtyre dy produkteve, në llogari të ndërmarrjes janë derdhur 1 milionë euro nga kompanitë e kontaktuara si avans, me të cilat edhe janë paguar rrogat për një muaj.

“Edhe pse kanë dhënë 1 milionë euro avans, kompanitë nuk po pranojnë ta marrin koncentratin e kontraktuar, pasi që nuk është i kualitetit të paraparë me kontratë. Pra, është i cilësisë shumë më të dobët. Kjo ka ardhur si pasojë e avancimit të njerëzve joprofesionistë dhe të afërmve të menaxherit Ahmet Tmava në repartet e nxjerrjes së koncentratit. Për ta arritur cilësinë e paraparë me kontratë, koncentrati duhet t’i nënshtrohet prapë flotimit, gjë që ka kosto shumë të lartë”, thotë një zyrtar i lartë i Trepçës në kushte anonimiteti.

Sipas disa ekspertëve të kontaktuar nga Veriu.info, vlera e shitjes së koncentratit sipas kontratave të lidhura nga Trepça është minimum 9 milionë euro. Ndërkaq, menaxhmenti i kësaj ndërmarrje, me rastin e lidhjes së këtyre kontratave kishte deklaruar se ato arrinin vlerën deri në 20 milionë euro, gjë që sikur të realizoheshin shitjet, do të garantoheshin rrogat e punëtorëve, vlera e të cilave sillet rreth 1 milion euro në muaj.

Ndryshe, Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme me 11 qershor i kishte lejuar Trepçës që të shiste 4 mijë tonë koncentrat të plumbit dhe 3 mijë ton koncentrat të zinkut, brenda një periudhe tre mujore. Mirëpo, për shkak se Trepça kishte shkëputur kontratën e lidhur me një operator, atëherë Dhoma e Posaçme i ka dhënë afat Trepçës në jug që këtë sasi të koncentratit ta shes deri më 20 prill 2016. Ndërkohë, që Trepçës në veri ia ka ndaluar shitjen e koncentratit, pasi që e ka realizuar shitjen sipas vendimit të Dhomës së Posaçme të muajit qershor. Këto vendime të Dhomës së Posaçme kanë ardhur pas mos kompletimit të Bordit të AKP-së, i cili është organi i vetëm kompetent për afarizmin e Treçës.

Pra, Trepça në jug e udhëhequr nga menaxheri Ahmet Tmava, sipas vendimit të Dhomës së Posaçme, mund të shes edhe 4 mijë tonë koncentrat të plumbit dhe 3 mijë ton koncentrat të zinkut, ku vlera e tregut për këtë sasi sillet nga 9-20 milionë euro. Kjo do të siguronte paga të mjaftueshme për minatorët edhe për 9 deri 20 muajt e ardhshëm, sikur kontraktuesi ta blente produktin, gjë që nuk po e bënë për shkak të cilësisë së dobët./Veriu.info/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button