Letër Melos

Dje tërë ditën të mendova Melo.

Përvjetori i parë.

Që ditën që vdiqe që kur s’të kam parë…nuk kalon dita, që në një mënyrë apo tjetër, nuk të kujtoj…ty, Gunçen, Vanjën.

2014, viti i humbjeve që nuk kompensohen.

…Rruga për në qytet dhe për në punë më kalon afër banesës tënde; tashmë instinktivisht kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë…kah dritaret e mbyllura, roletat pikëllueshëm të lëshuar, kushedi çfarë erë mban tash banesa pa ty.

Shtëpia pa njeri ma kujton varrin – njeriu i dikurshëm edhe mungon edhe vazhdon të jetë i pranishëm aty. Muret, duke përthithur nga energjia e banorëve, me kalimin e kohës sikur rrezatojnë tingujt, përjetimet, frymën e jetesës.

Banesa jote kishte stil eklektik: copa mobiliesh moderne kombinuar me komodina të vjetra, tryeza druri dhe zbukurime të vaktit që më kthenin në fëmijëri… (Burri i saj ishte shok si vëlla i babës. Miqësitë mashkullore janë më stabile pasi meshkujt jo vetëm që kanë më pak sherre, por edhe i ndërtojnë raportet më gradualisht, duke iu avitur me karar njëri-tjetrit). Kështu edhe ata të dy, shokë banke nga fillorja, u plaken si miq të ngushtë, duke kultivuar ndejat e rregullta familjare, ato mbrëmje shend e verë gjatë fundjavave.

…Nga bashkëshortja e shokut të ngushtë të babës ti me kohë m’u bëre shoqe e ngushtë…Nga teta Melahat u avancove në Melo.

E mban mend Melo si ia kalonim aty ku jetoje vetëm, e kënaqur në oazën e pavarësisë tënde afër fëmijëve: njëri djalë në banesën përballë, tjetri në katin poshtë, përreth shtëpisë shtrihet kopshti ku ti kishe fjalën kryesore. Zgjoheshe me diellin, ashtu si unë: Sa e sa kafe në kopsht në dritën e butë të mëngjesit derisa tjerët ende flinin. Kafjalle plot lezet mbi bar. Sa shpesh vija, e mban mend Melo, bisedonim për gjëra që nuk i flisnim me secilin, pa atë shtesën “të mbetet mes nesh”. Diskrecioni yt, humori, talenti për të jetuar, pasioni për udhëtime…kaq shumë gjëra më bënin përshtypje duke shkrirë hendekun e dallimit në moshë.

Ne fakt nuk ka dallim në moshë, ka dallim në karaktere, preferenca dhe dallim në dioptrinë me të cilën vështrojmë botën dhe veten tonë në të.

Sa të rinj njoh që i ka shkelur koha ose mënyra e gabuar e të jetuarit dhe sa miq kam të shtyrë në moshë e për të cilët vitet nuk determinojnë asgjë përveç përvojës, kurse secila përvojë është unikale, mjafton të rrëfehet bukur.

…dje, në përvjetorin e parë të ndarjes, më fanitej gjithë ditën Fytyra jote si e ndriçuar nga Brenda, kurse njerëzit e bukur plaken bukur, mjafton që të vazhdojnë ta duan jetën, tjerët dhe veten.

Pavarësisht viteve.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button