Prokurorja Janeva me ekipin e saj fillon me punë që nga e hëna

Prokuroria Speciale në krye me Katica Janevën, përfundimisht sot e formoi ekipin e saj, të cilët u votuan dje nga Këshilli i Prokurorëve, ndërkaq sot u betuan në mënyrë solemne, njofton Portalb.

Ekipi gjithsej do të përmbajë 12 prokurorë, ndërkaq dy janë hequr, për këtë të fundit prokurorja Janeva nuk dëshiroi të komentojë me gjatë, vetëm se heqja e tyre është bërë në pajtueshmëri të përbashkët. Përveç shtatë të përzgjedhurve paraprakisht, Burim Rustemi, Elizabeta Josifovska, Lejla Kadriu, Lubomir Lape, Marija Gjorgjeva, Stevço Donev dhe Fatime Fetai, gjatë ditës së djeshme u përzgjodhën edhe pesë prokurorë të tjerë Artan Ajro, Gavrill Bubevski, Lençe Ristevska, Trajçe Pelivanov të gjithë nga Prokuroria Publike – Shkup si dhe Lile Stefanova nga Prokuroria Publike për përndjekjen e veprave kriminale nga fusha e korrupsionit dhe krimit të organizuar

“Ekipi është i përzier, të gjithë janë autoritete profesionale dhe kanë kredibilitet, për këtë e di që munden të përballen me sfidat. Periudhën e kaluar kemi biseduar me Këshillin e  Prokurorëve që si të duket ekipi, dhe vendosëm që të jetë me 12 prokurorë. Kemi vendosur të gjithë së bashku që të largohen dy prokurorë. Nga e hëna fillojmë me punë aktive në bazë të ligjit. Nuk e dimë se sa do të jetë numri i lëndëve , por nga e hëna do të fillojmë të drejtohemi drejt institucioneve në pajtueshmëri me ligjin”, deklaroi Janeva.

Janeva nuk deshi që të tregojë asgjë më detalisht për punën e Prokurorisë Speciale, vetëm tha që në Prokurorinë Speciale arrijnë materiale të cilët nuk janë pjesë e lëndëve të saj, njofton Portalb.

“Kabineti im tanimë është i përgatitur ta merr punën, ndërkaq prokurorët vet do t’i zgjedhin ekipet me të cilët do të punojnë, është e paraparë që çdo prokurorë të fitojë dy hetues dhe dy bashkëpunëtor profesional. Nuk presim obstruksione gjatë marrjes së lëndëve”, ka shtuar Janeva.

Për kërkesën e disa personave që të jenë dëshmitarë të mbrojtur ajo nuk ka dashur të komentojë duke thënë që ajo është ende në procedurë. Janeva gjithashtu refuzoi ta komentojë edhe vendimin e Gjykatës Themelore Shkupi 1,ku  dje në seancën gjyqësore vendosi që “bombat” e opozitës të mos pranohen si dëshmi para gjyqit.

Prokurori shtetëror Marko Zvrlevski, sot nuk mori pjesë në betimin e prokurorëve të Prokurorisë Speciale.

Rikujtojmë se Katica Janevës, paraprakisht ju zgjodhën vetëm 7 nga 14 ndihmësit e propozuar për ekipin e saj, për këtë të fundit Janeva kërkoi nga prokurorët e zgjedhur që të mos betohen përderisa nuk kompletohet ekipi dhe prokurorët nuk u betuan. Moszgjidhja e gjithë ekipit që e propozoi Janeva, ishte një prej çështjeve kontestuese që e frenonte dialogun ndërpartiak për zbatim të Marrëveshjes së Përzhinos. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button