Meta: Mbrojtja e fëmijëve, detyrim për të gjithë institucionet

Në Tiranë është organizuar sot takimi me Grupin Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” nga Kuvendi i Shqipërisë dhe UNICEF, në partneritet me organizatat e shoqërisë civile. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta tha se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën një detyrim të pazëvendësueshëm njerëzor dhe kushtetues për shtetin dhe të gjithë institucionet.

“Jemi me fat që kemi kaq shumë aktivistë dhe aktiviste të shoqërisë civile, por edhe kolege deputete dhe kolegë deputetë që janë të angazhuar për këtë çështje mjaft sensitive të shoqërisë sonë, të familjeve shqiptare. Respektimi i këtyre të drejtave të individëve, promovimi dhe garantimi i tyre do të jenë gjithmonë një prioritet i legjislacionit, i politikave dhe i institucioneve, por edhe i diskutimeve dhe tryezave të organizuara nga shoqëria civile dhe nga vetë fëmijët lidhur me çështjet e tyre”, u shpreh ndër të tjera Meta.

Meta tha se formalizimi dhe përcaktimi i të drejtave të fëmijëve në një kuadër ligjor të plotë ka njohur progres, por zbatimi dhe pranimi i vetëdijshëm i tyre, trajtimi dhe zhvillimi i fëmijëve si individ në shoqërinë shqiptare , ende has vështirësi.

“Rastet e abuzimit, e keqtrajtimit dhe të keqrritjes së fëmijëve në familje, në shkollë dhe në shoqëri, shfaqja e formave të ndryshme të dhunës në familjet e tyre, mbeten ende sfida për t’u përballur. Zgjidhja e këtyre problematikave të rëndësishme duhet të kalojë nëpërmjet mbështetjes për familjet e tyre, por edhe nëpërmjet përkujdesjes së posaçme nga strukturat shtetërore dhe mbarë shoqëria për fëmijët vulnerabël, jetimët apo për fëmijët me aftësi të kufizuara”, – u shpreh Meta.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin, edhe përfaqësuesja e UNICEF-it në Shqipëri, Antonella Scolamiero, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore dhe të shoqërisë civile.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button