Veliaj: Shkolla të reja, mjaft me mësimin me dy turne

Pas adoptimit të çerdheve dhe rikonstruksionit të kopshteve me ndihmën e biznesit, në buxhetin e ri Bashkia e Tiranës do të parashikojë ndërtimin e shkollave të reja dhe eleminimin e mësimit me dy turne.

Në përurimin e çerdhes së re nr. 60 në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, informoi se shumë shpejt do të nisë diskutimi i buxhetit të ardhshëm i bashkisë me qytetarët e Tiranës.

“Çdo sasi uji që vidhet është një pagesë e munguar me të cilën mund të bëjmë më shumë shkolla, kopshte e çerdhe dhe besoj se viti i ardhshëm do të jetë viti i shkollave, ku ne do të kemi investimet më të mëdha në këto 25 vitet e fundit”,- tha Veliaj.

Ai theksoi se qyteti mbahet nga të ardhurat, ndaj dhe bashkia do t’i mbledhë rregullisht taksat dhe detyrimet.

Po ashtu, Veliaj tha se, vitin e ardhshëm do të ketë partner publik-privat për të ndërtuar shkolla të reja, që do të sjellin një zhvillim normal të mësimit.

“Ambicja jonë për të ndërprerë historinë e shkollave me dy turne do të mbarojë vitin tjetër. Jam shumë shpresëplotë që me nismën që kemi për të ndërtuar shkolla, në bashkëpunim publik-privat, ne do të zgjidhim brenda këtij mandati çështjen e shkollave me dy turne. Këtë do ta fillojmë nga viti tjetër, për t’i dhënë drejtim shpejt e për të mos e lënë në ditët e fundit”,- deklaroi Veliaj.

Nga ana tjetër, ai shprehu kënaqësinë se çerdhja që inaugurohet në zonën e Shkozës ka të njëjtat standarde si një godinë në Bllok.

“Ne nuk i trajtojmë njerëzit si të periferisë dhe të qendrës, si të nënës apo njerkës, si të tyret apo tanët. Në një zonë që me të drejtë mund të jetë konsideruar periferike, me të ardhura të ulëta, sot ka një çerdhe, një institucion model që është në fakt metafora e asaj që ne besojmë”,- tha Veliaj. Ai shtoi më tej se investimet do të vijojnë në rrugë e infrastrukturë.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button