Heshtje absolute për Marrëveshjen e Përzhinos

E ka kapluar heshtja dialogun politik. Mbrëmë jo-zyrtarisht u mbajt një mbledhje me grupet punuese, që më pas prapë të vazhdohet me takimet bilaterale. Kanë mbetur të hapura çështjet për kompetencat e ministrave dhe zëvendës ministrave të qeverisë kalimtare dhe ekipit të prokurores speciale, transmeton Portalb.

Në pauzë janë lënë edhe ndryshimet në Kodin zgjedhor. Ende nuk ka përgjigje se shkelja e afateve deri më tani mund ta shtyjë edhe datën e zgjedhjeve- 24 prill 2016.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev dje ka realizuar takim me ambasadorin e Hungarisë, Josef Bence, me të cilin ka biseduar për situatën aktuale politike në Maqedoni, gjasat për realizimin e Marrëveshjes së 2 qershorit si dhe marrëdhëniet mes të dy vendeve.

“LSDM është konstruktive, ndërsa presim që çdo palë të bëj përpjekje ajo që është dakorduar të zbatohet sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar Zaev.

Ambasadori Bence tha se pret që sa më shpejt të realizohen reformat në fushat kritike që janë shënjestruar në Raportin e Pribesë.

Së bashku është konstatuar se ekziston rreziku që Maqedonia të humb rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, posaçërisht për faktin se bëhet fjalë për një shtet të vogël, me ekonomi jo stabile, shtet multietnik i cili për momentin ballafaqohet edhe me krizën e refugjatëve.

Paralelisht me procesin e bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos, BDI, VMRO dhe LSDM po analizojnë edhe zbatimin e deritanishëm të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas sekretarit shtetëror Ejup Alimi grupet punuese prezantojnë punën e tyre me mbështetjen e OSBE-së dhe Institutit Evropian për Paqe. “Ne do të dalim me të gjitha rezultatet. Sot është vetëm një ditë pune e grupit të punës. Secili grup punues prezantojë ato nga një ditë, kurse vetëm një prej temave më të rëndësishme tema e decentralizimit do të diskutohet dy ditë”, deklaroi Ejup Alimi, Sekretar shtetëror për zbatimin e MO, njofton Alsat-M.

“Grupet e punës u morën vesh që të shqyrtojnë zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa procesi i analizës do të fokusohet në rekomandime eventuale. Roli i grupit të punës do të jetë që të zbatojë ato rekomandime në mënyrë efektive”, tha Piter Van Hojte, ndërmjetësues i deleguar nga BE.

Gjashtë grupe pune po analizojnë çështjen e përfaqësimit, përdorimit të gjuhës, decentralizimit, mos-diskriminimit, arsimit dhe çështjen e etniteteve pakicë. Analiza e plotë e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe BDI-së duhet të publikohet në fund të muajit në konferencë ndërkombëtare të koordinuar nga Piter Fejt./Portalb

Partia Demokratike Shqiptare në një prononcim publik thotë se kjo parti nuk do të marrë pjesë në tryezën  për Marrëveshjen e Ohrit. Kjo pasi siç thuhet në komunikatën e tyre “ky format i bisedimeve nuk është në përputhje me metodologjinë e punës për të cilën jemi marrë vesh me nënshkrimin e marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut.”

“Duam ta njoftojmë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se Partia Demokratike Shqiptare nuk do të merr pjesë në këtë tryezë, pasi që konsiderojmë se ky format i bisedimeve nuk është në përputhje me metodologjinë e punës për të cilën kemi rënë dakord me nënshkrimin e marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut. Nuk duam të jemi pjesë e një tryeze ku ata të cilët janë përgjegjës kryesorë për mos implementimin e MO, akoma 15 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes merren vetëm me analiza dhe konkluzione. Ne nuk duam të merremi me konstatime, por duam të arrimë zgjidhje cilësore për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat do të diskutohen në kuadër të grupit punues që drejtohet nga ndërmjetësuesi i Komisionit Evropian, z. Piter Van Hojt,” theksoi Fazliu.

Bekim Fazliu edhe njëherë para opinionit ka radhitur pikat për të cilat thotë se në marrëveshjen e 2 qershorit janë propozuar nga PDSH.

“Edhe një herë përkujtojmë pikat të cilat PDSH i ka parashtruar në bisedimet gjatë arritjes së marrëveshjes së 2 Qershorit/15 korrikut, e që burojnë nga Platforma Politike e PDSH-së: Pozita juridiko-kushtetuese e shqiptareve në Maqedoni; vendimmarrja konsensuale; ndarja e drejte dhe proporcionale e buxhetit të shtetit; zyrtarizmin i gjuhës shqipe; ndarja e re territoriale; de-etnizimi i simboleve shtetërore (flamuri, himni, stema), si dhe njeri prej tre posteve kryesore në shtet (Kryeministri, Presidenti, Kryetari i Kuvendit) t’u takojë shqiptarëve”, tha deputeti Bekim Fazliu./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button