Rrëfimi i shqiptarit që shkoi në Siri për të punuar si roje e përfundoi në ISIS

Vështirësitë e banorëve shqiptarë të Kalifatit Islam s’kanë të sosur dhe madje, në disa raste, ngjarjet marrin edhe rrjedha të çuditshme. Një nga shqiptarët e kthyer në Shqipëri, i zhgënjyer nga realiteti që gjeti në Siri, thotë se banorët vendas shpeshherë abuzonin me të.

Gazeta “Shqip” ka siguruar pjesë të dëshmisë së tij, e cila është administruar nga specialistët e Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër. Shqiptari me inicialet L.T. dhe me emrin fetar “Abdullah al Albani”, pas ikjes në Siri, në vitin 2013, ishte punësuar si roje supermarketi në një prej qendrave të Sirisë.

Kjo ishte punë e përkohshme dhe shumicën e kohës ai e kalonte duke i shërbyer Kalifatit Islam me ruajtjen e një qendre tregtare. Burimet që siguruan këto pjesë dëshmie për gazetën, u shprehën se për shkak të frikës nga hakmarrja e ISIS-it, shqiptari i kthyer nga Siria mund të ketë ndryshuar gjeneralitetet, porse fakti se ai ka ikur në Shtetin Islamik në vitin 2013 dhe që është kthyer po në këtë vit, është i vërtetuar.

Para pak kohësh, Shteti Islamik ka ekzekutuar të paktën 91 njerëz, duke përfshirë 39 persona nga radhët e veta, për magji, sodomi, tradhti bashkëshortore, banditizëm, bashkëpunim me grupet rivale rebele, bashkëpunim me koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, fyerjet ndaj Zotit, etj.

Këtë e konfirmoi Observatori Sirian i të Drejtave të Njeriut. Që nga shpallja e të ashtuquajturit “Kalifati islamik”, ISIS ka ekzekutuar 182 anëtarë të tij, të cilët ishin kapur duke u përpjekur të largoheshin nga grupi dhe të ktheheshin në shtëpitë e tyre”- tha Observatori me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. Vitin e kaluar, ISIS ka ekzekutuar 1.841 civilë, përfshirë 76 fëmijë dhe 95 gra, me armë, prerje koke, gurë, duke i hedhur jashtë nga ndërtesa të larta apo duke i djegur deri në vdekje.

Dëshmia e shqiptarit

“Abdullah al-Albani”, shqiptari me inicialet L.T., është shprehur se luftëtarët e ISIS-it, kur kishin për të dërguar ndonjë mall në banesat e tyre, e ngarkonin keqaz. Kur i pyeste se “Përse më jepni kaq shumë ushqime?”, ata përgjigjeshin se “Jemi shumë të pasur”. Shqiptari që kishte gjetur mënyrën për t’u punësuar si roje sigurie në market shprehet gjithashtu se arroganca e luftëtarëve të ISIS dhe injoranca e tyre ishte tepër e madhe. “Shumica e tyre nuk dinin t’u jepnin makinave”, -thotë ai, teksa përmend edhe sjelljen e keqe në komunikim apo gjatë ngrënies së vakteve të drekës apo darkës. Ai thotë se xhihadistët nuk dinin si të silleshin në tryeza. Një tjetër moment është ai i ngacmimeve të shumta që kishte hasur nga vendasit, siç ishte çasti kur luftëtarët luanin me telefonin e tij, teksa ishte në karikim. Por momenti më kulmor mbetet pa dyshim vjedhja e këpucëve. “Nuk më linin rehat, më vidhnin këpucët. Sapo blija të tjera, ata m’i vidhnin prapë” -thotë ai. Siç duket vjedhja ndodhte gjatë faljes në xhami, pasi nuk lejohet hyrja me këpucë brenda këtyre objekteve të kultit. Burimet, të cilat ia bënë të ditur gazetës këtë dëshmi të shtetasit të Republikës së Shqipërisë, nuk saktësojnë vendin ku Observatori ia ka marrë dëshminë, por deklarimi i tij është renditur mes dhjetëra dhe qindra të tjerëve që kanë mundur të largohen nga ferri i ISIS-it. Me shumë mundësi këto dëshmi mund të jenë marrë në qendrat e grumbullimit, jashtë kufijve të Sirisë, ku ish-luftëtarët ishin mbledhur për t’u shpërndarë më pas në shtetet e tyre.

Shqiptarët në Siri

Xhihadistët shqiptarë, të renditur mes mijëra luftëtarëve të huaj në radhët e ISIS, po përdoren nga organizata terroriste si “mish për top”. Ata janë të parët në vijën e sulmit dhe shpeshherë shërbejnë si kamikazë, ndërsa vendasit (sirianë dhe irakianë) vijnë më pas kur zona është pastruar dhe merren me punë prestigjioze organizative. Këto janë të dhënat e fundit, që po qarkullojnë në agjencitë inteligjente apo mediat prestigjioze botërore, ndërsa autoritetet shqiptare janë të mirinformuara për aktivitetin e shqiptarëve në Siri dhe Irak. Përvoja e luftës, për rekrutët e huaj, ku përfshihen edhe shqiptarët, është shpesh e shkurtër dhe e përgjakshme. Tashmë ISIS ka vendosur që askush të mos kthehet në tokën nga ka ardhur, kështu që luftëtarët shqiptarë mbeten të bllokuar atje edhe sikur të kenë dëshirë të largohen prej luftës. Dhjetëra shqiptarë janë ende në territoret e Sirisë dhe Irakut, përfshi familjarë, ku bëjnë pjesë pleq dhe fëmijë. Ervin Hasanaj dhe Dorian Kuqo janë shqiptarët e fundit të vrarë në Siri, duke luftuar për organizatat terroriste që luftojnë atje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button