Demarkacioni i Kroacisë dhe Bosnjës, i pa ratifikuar që 16 vjet

Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi është shndërruar në “mollë sherri” ndërmjet opozitës dhe qeverisë. E para pohon se duhet tërhequr nënshkrimet, duke pretenduar se kemi humbur tokë, kurse e dyta mohon pretendimet e tyre dhe konfirmon se nënshkrimet nuk do të tërhiqen. Dy palët janë “bunkerizuar” në pozicionet e tyre politike, saqë si duket nuk po duan të shohin alternativa për të dalë prej krizës politike.

Situatë paksa komike kjo, por që po shfrytëzohet shumë politikisht prej subjekteve politike në Kosovë. Megjithatë, raste shumë më eklatante kur janë arritur marrëveshje për demarkacione dhe nuk janë ratifikuar asnjëherë në parlamentet e shteteve, kemi edhe në rajonin tonë.

Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina e kanë nënshkruar marrëveshjen për demarkacion në vitin 1999, por kjo marrëveshje e tyre ende edhe sot e kësaj dite nuk është ratifikuar nga parlamentet e këtyre dy shteteve fqinje, kurse proceset kanë ecur përpara. Madje, Kroacia tash është bërë edhe anëtare e Bashkimit Evropian, transmeton Republika.info.

Në vitin 1999, marrëveshjen kufitare ndërmjet Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës e kishin nënshkruar ish-presidenti i Kroacisë, Franjo Tugjman dhe ish-presidenti i Bosnjës dhe Hercegovinës, Alija Izetbgoviq. Me këtë marrëveshje, ishte zhvendosur kufiri Kroaci – Bosnjë dhe Hercegovinë afër bregut Neum (sipas kohës së RSF të Jugosllavisë dhe i konfirmuar edhe nga Komisioni Badinter i Arbitrazhit) më tej Gjirit “Mali Ston”, duke vendosur kështu dy ishujt kroatë, Mali dhe Veliki Shkoj, nën sovranitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2007, qeveria kroate kishte bërë thirrje që të ratifikohej kjo marrëveshjeje nga parlamenti, megjithatë ajo nuk është ratifikuar as sot e kësaj dite, transmeton Republika.info.

Më tej, ndarazi prej marrëveshjes kufitare, dy vendet negociuan Marrëveshjen e Neumit dhe të Plloqes, duke definuar marrëveshje të veçanta për trafikun transit kroat përmes qasjes së Neumit dhe Bosnjë e Hercegovinës në portin e Plloqes, duke kompensuar në këtë mënyrë jo-vazhdimësinë e territorit kroat në mes të Plloqes dhe Dubrovnikut dhe mungesën e një porti në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kohët e fundit, Kroacia është zotuar të ndërtojë një urë për gadishullin e Peljesaqit për të lidhur këtë vend me enklavën si pjesë e autostradës A1 Zagreb-Dubrovnik. Pas këtij zotimi të Kroacisë, Bosnja dhe Hercegovina kishte protestuar, duke deklaruar se kjo do të pengojë qasjen e tyre në ujërat ndërkombëtare (edhe pse territori kroat dhe ujërat territoriale i rrethojnë komplet ujërat e Bosnjës e Hercegovinës), dhe kishte sugjeruar që ura duhet të jetë më e lartë se 55 metra, për të siguruar kalimin e lirë të të gjitha llojeve të anijeve. Ndërsa, Kroacia kishte deklaruar se porti Neum, nuk kishte potencial për anije kaq të mëdha dhe si rezultat demarkacioni i tyre edhe sot e kësaj dite, ende është pezull, transmeton Republika.info.

Bazuar në shembullin e Kroacisë dhe Bosnjës, problemi i krijuar politik për demarkacionin e Kosovës dhe Malit të Zi ka gjasë të zgjas edhe me vite të tëra. Mosjetësimi i këtij demarkacioni ndërmjet Kroacisë dhe Bosnje e Hercegovinës nuk ka ndikuar shumë në marrëdhëniet e dy shteteve. Ky shembull tregon se opozita dhe pozita në Kosovë, me pak vullnet politik lehtësisht edhe mund ta tejkalojnë këtë pengesë politike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button