Deputetët dhe ministrat e BDI-së s’janë të gatshëm për llogaridhënie

Pyetjet e deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, sot kur në rend dite ishin ‘pyetjet e deputetëve’ nuk gjetën përgjigje. Kjo ndodhi për faktin se ministrat nuk ishin prezent në sallë.

“Pyetjet e deputetëve” është mekanizëm parlamentar për të kërkuar përgjegjësi drejtpërdrejt nga bartësit e pushtetit ekzekutiv. Mos-aktivizimi i përfaqësuesve në dhomën e përfaqësimit- kuvend, i zhvesh deputetët nga misioni i tyre dhe i bën të papërgjegjshëm para vet elektoratit.

I vetmi, deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu parashtroi tre pyetje drejt ministrave të ekonomisë, arsimit dhe mjedisit- kuadër i BDI-së, por këta të fundit nuk ishin të pranishëm. Dhe, sipas rregullores do të përgjigjen me shkrim.

Analistët pasivitetin e deputetëve e vlerësojnë si skandaloz. Sipas tyre llogaridhënia në Maqedoni nuk ekziston. Deputetët janë marioneta dhe veprojnë me direktiva, thonë analistët për Portalb.

“Në përgjithësi është i patolerueshëm dhe skandaloz mosaktiviteti i deputetëve shqiptar në gjithë dimensionet: ndaj votuesve të tyre, ndaj qytetarëve por edhe ndaj marrjes në përgjegjësi të qeverisë. Në sistem demokratik mu këta deputetë e kanë zgjedhur dhe votuar këtë qeveri dhe sipas kësaj mu ata duhet të kërkojnë llogari prej saj. Kurse këta vet deputetët e zgjedhur sillen sikur qeveria është diçka mbi ta ose e pandryshueshme”, tha për Portalb analisti Ramadan Ramadani.

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se është një degjenerim total i sistemit demokratik të funksionimit, me ç’rast çdo gjë varet nga lideri dhe grupi i tij.

“Në Maqedoni fatkeqësisht nuk funksionon llogaridhënia. Ministrat nuk u japin llogari atyre që i kanë zgjedhë në atë funksion, pra deputetëve. Deputetët ndërkaq nuk u japin llogari, poashtu, atyre që i kanë zgjedhë, pra qytetarëve. Ky degjenerim i demokracisë është eklatant edhe te partitë shqiptare. Ato flasin kur t’u thotë lideri, heshtin poashtu kur t’i urdhërojë lideri. Andaj, as nuk më habit pasiviteti i deputetëve, e as neglizhenca e ministrave. Kjo është tipike për shoqëritë me sisteme autokratike të funksionimit, ku zgjedhjet janë vetëm një proces formal për të përligjur gjoja demokracinë”, sqaroi për Portalb Neziri./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button