Lutja që shqiptarëve të Maqedonisë: InshAllah nuk vjen policia në mëngjes të na arrestojë

Nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit që, forcat policore speciale të Maqedonisë bastisin banesat dhe lagjet e banuara nga shqiptarët. Preteksti tani është i ditur: “bashkëpunim me grupe kriminale” ose “terrorizëm”, por në fakt janë ata që terrorizojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë.

Të zgjohesh në mëngjes e të mos gjesh policë te dera e shtëpisë është diçka e pazakontë, kryesisht për shqiptarët e Kumanovës dhe Likovës dhe një ëndërr që çdonjëri prej tyre e sheh çdo natë para se të flejë gjumë.

Këto kontrolle, të pa lajmëruara më parë, nuk kanë kursyer ish luftëtarët e UÇK-së, që ndryshe nga të tjerët nuk iu bashkuan pushtetit, e mes tyre as invalidët, që megjithëse nuk mund të lëvizin akuzohen si bashkëpunëtorë të grupeve të armatosura.

Por që maqedonasit dinë ta luajnë mirë rolin e terroristit këtë gjë e njohin të gjithë, por që partia shqiptare në pushtet, BDI, të heshtë, këtë nuk e ka pritur askush. Për më tepër një zonë si Kumanovë, vatër e luftës së 2001-shit dhe votuese periodike e Bashkimit Demokratik për Integrim.

Shumë prej djemve dhe burrave të arrestuar deri tani kanë qenë edhe ushtarë të “Komandant” Ali Ahmetit, por ky i fundit nuk e ka thënë asnjë fjalë dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje të frenojë “shokun” e tij në qeveri, Nikolla Gruevski, të ndërmarrë këto aksione.

Se çfarë lojërash luhen në Shkup, se çfarë skenarësh përgatiten në karriget e pushtetit, këto gjëra nuk iu interesojnë shqiptarëve, fëmijët dhe gratë e të cilëve tmerrohen çdo ditë nga prezenca e shumtë e policisë dhe ushtrisë maqedonase. A po paguajnë ata pasojat e krizës politike në vend, apo po paguajnë “hakmarrjen” për moslejimin e vizitës së Ali Ahmetit në “Lagjen e Trimave”? Këtë përgjigje pak veta e dinë.

Ajo që dihet është duaja (lutja) që shqiptarët e Maqedonisë bëjnë para se të flenë gjumë: InshAllah nuk vjen policia në mëngjes të na arrestojë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button