Gjukanoviç: Turqia mbështet anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

Me rastin e 29 tetorit, e cila në Turqi shënohet si Dita e Republikës, kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç përgëzoi kryeministrin turk Ahmet Davutoglu. Gjukanoviç ka falënderuar Turqinë për mbështetjen që i jep Malit të Zi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, raporton Anadolu Agency (AA).

“Përfitoj nga ky rast të falënderoj Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme që ofron ndaj Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në NATO, sidomos tani në fazën përfundimtare, në prag të vendimit për dërgimin e ftesës vendit tonë në takimin ministror në dhjetor. Ne besojmë se vendimi pozitiv do të ketë efekte pozitive jo vetëm për Malin e Zi, por për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për stabilitetin dhe demokratizimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit. Ne e vlerësojmë shumë shkëmbimin e përvojës në procesin e negociatave me BE-në, e cila është një nxitje shtesë për zhvillimin e marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera dypalëshe”, tha kryeministri Gjukanoviç.

Në mesazhin e urimit thuhet se kjo mbështetje është edhe më e rëndësishme, sepse ajo vjen nga një “shtet i respektuar që luan rol vendimtar për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit të Lindjes së Mesme, dhe një nga aktorët kryesor në nivel global”.

“Ne fuqimisht besojmë se Turqia do të luajë rol historik në tejkalimin e krizës aktuale humanitare dhe të sigurisë, me çfarë Evropa dhe bota deri më tani nuk janë ballafaquar”, thuhet në mesazhin e urimit të Gjukanoviqit.

Kryeministri malazez shprehu kënaqësinë e veçantë për dialogun e cilësisë së lartë politike, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe interesit në rritje të biznesmenëve turq për të investuar në Mal të Zi, dhe bashkëpunimin kulturor.

Ai falënderoi për ndihmat përmes TIKA-s, si dhe përmes kanaleve tjera për zbatimin e projekteve të rëndësishme në Mal të Zi, sidomos në pjesën e saj veriore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button