Ajova: fillimi i fundit të Donald Tramp?

Tramp më në fund ka rrënë në vendin e dytë në disa anketa. A është ky fillimi i fundit të tij?

 

Në skenën politike amerikane, gjatë nominimit të kandidatëve për president të shtetit, një vend të posaçëm zë Ajova. Ky shtet i vogël rural, i vendosur në qendër të Amerikës, është i pari që voton në procesin e nominimit, këtë rradhë më 1 shkurt të vitit 2016.

Fitorja në Ajova nuk është vendimtare për përcaktimin e fituesit të përgjithshëm të zgjedhjeve. Për shembull në anën republikane fitues në Ajovë dolën Majk Hakabi në 2012 dhe Rik Santorum në 2012, ndërsa ato vite fitues të përgjithshëm dhe kandidatë zyrtarë republikanë u bënë Xhon Mekejn dhe Mit Romni. Mirëpo në Ajovë vlen fraza e njohur në politikën amerikane “three tickets out of Iowa” – tre bileta nga Ajova. Kjo do të thotë se garën përfundimtare përherë e fiton njëri prej tre të parëve në Ajova. Prandaj, megjithëse fitorja nuk është e domosdoshme, asnjë kandidat serioz nuk mund t’a anashkalojë Ajovën dhe të humb njërën nga tre pozitat e para aty.

Mu për këto shkaqe ky shtet i vogël është në qendër të vëmendjes të politikës amerikane disa muaj para se të fillojnë votimet. Kandidatët shpenzojnë aty para të majme nëpër reklama, hapin zyra dhe angazhojnë të punësuar, vizitojnë personalisht të gjitha komunat e shtetit etj. Analistët poashtu i dedikojnë një pjesë të madhe të kohës situatës në Ajova dhe në këtë shtet bëhen më tepër anketa se në të gjitha shtetet tjera të marra së bashku. Nga ana e tyre banorët e Ajovës kyçen të parët në garë, njihen të parët me kandidatët, i kushtojnë më tepër rëndësi situatës politike dhe në përgjithësi në këtë periudhë janë më të politizuar se pjesa tjetër e Amerikës. Suksesi apo dështimi i ndonjërës fushatë në Ajovë, shpesh i paraprin rezultatit në nivel të gjithë vendit. Një ndër shkaqet pse Skot Uoker u tërhoq nga gara ishte ngecja e tij në Ajovë, ku nuk mundi të shënojë progres megjithëse e kishte terren të njohur.

Ashtu si çdokund tjetër, Donald Tramp ka udhëhequr në Ajovë qysh prej fillimit të garës. Mirëpo kohëve të fundit diçka e çuditshme po ndodh në Ajovë. Përnjëherë, ditëve të fundit në krye të garës ka dalur Ben Karson, duke tejkaluar Trampin i cili ka rënë në vendin e dytë. Ç‘është më e keqja, Trampi ka rënë në vendin e dytë duke humbur rejtingun e tij, po aq sa Karson ka rritur të tijin. Muajin e fundit Tramp ka rënë nga 26% në 20%, ndërsa Karson është ngjitur nga 19% në 29%. Qartazi Karson ka rritur rejtingun duke marrë vota nga Trampi.

 

Anketat republikane në Ajova
Anketat republikane në Ajova

 

Rrënia e rejtingut të Trampit mund të ketë shkaqe të ndryshme. Pikë së pari republikanët e Ajovës janë kryesisht të krishterë të devotshëm evangjelistë dhe nuk janë natyrisht të prirur për të votuar një kandidat bombastik i cili është divorcuar tre herë. Shkak tjetër mund të jenë sulmet e grupit konzervativ “Klubi i rritjes” (Club for Growth), i cila ka shpenzuar rreth 1 milionë dollarë në kampanjë mediatike duke sulmuar Trampin, të cilin e konsideron si konzervativ fallco. Një shkak i tretë mund të jetë fakti se votuesit e Ajovës po i njohin gjithnjë e më mirë kandidatët. Ndoshta ata thjeshtë e pëlqejnë më pak Trampin sa më tepër që e njohin atë.

Cilido të jetë shkaku, rrënia në Ajovë mund të jetë sinjal ogurzi për Trampin. Për herë të parë atë e kanë tejkaluar në cilëndo anketë të zhvilluar katër muajt e fundit. Për më tepër nuk bëhet fjalë për një anketë të vetme të cilën Tramp mund t’a injorojë me lehtësi, sepse janë katër anketa në pesë ditët e fundit që nxjerrin Karsonin përpara. Në një lajm edhe më të keq për të, Karsoni si duket po merr zjarr edhe në vendet tjera, sepse një anketë e Nju Jork Tajms e publikuar dje e nxjerr atë në vend të parë edhe në nivel nacional.

Sido që të jetë, Ajova tregon se Tramp vërtetë mund të jetë kandidat kalimtar, që rastësisht është gjetur në vendin e parë, siç pohojnë muaj me rradhë analistë të ndryshëm amerikanë. Ata përmendin faktin që në garat e kaluara një kohë kanë udhëhequr kandidatë si Njut Gingriç, Herman Kejn apo Rudi Xhuliani, të cilët më pas kanë dështuar thellë në votime.

Pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për karakterin e tij personal, fushatën negative mediatike apo njohjen më të mirë të bazës me qëndrimet e kandidatëve, Ajova tregon se Tramp mund të mundet me metoda konvencionale politike. E gjithë kjo mund t’a qetësojë sadokudo establishmentin partiak republikan i cili ndihet i alarmuar nga mundësia që kandidat i partisë republikane të bëhet Trampi. Se kush ka të drejtë, Trampi nga njëra anë apo establishmenti dhe analistët nga ana tjetër, do të tregojnë tre muajt e ardhshëm, deri në kohën e votimeve të para në Ajovë. Në ndërkohë na ngelet të shohim se si do të ndjehet në vendin e dytë një person i cili gjithë fushatën e zhvillon duke e paraqitur veten si “fitimtar” dhe që nuk ngurron t’i quajë të gjithë kundërshtarët e tij “humbës”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button