Ambasadorët: Gruevski urgjentisht të respektojë marrëveshjen, Zaev ti ndalë “bombat”

Ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Evropian dolën sot sërish me deklaratë të përbashkët duke e thirrur kryeministrin Nikola Gruevski urgjentisht të veprojë për të implementuar Marrëveshjen e Përzhinos ndërsa kreun e LSDM-së, Zoran Zaev mos të publikojë “bombat” e cila nuk shkon në frymën e marrëveshjes në fjalë.

“Që nga takimi i të premtes me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, ne ia shprehëm dëshpërimin tonë si ambasadorë për shkeljen e afateve të Përzhinos. Ne kërkuam nga ai të dëshmojë përkushtimin e duhur për të implementuar marrëveshjen e Përzhinos në mënyrë konstruktive dhe urgjente dhe me vullnet të mirë. Besojmë që e vetmja mënyrë për ta zgjidhur krizën politike aktuale është të implementohet Marrveshja e Përzhinos.” deklaroi ambasadori i Britanisë, Çarlls Gareth në emër të të gjithëve, njofton gazetari i Portalb nga terreni.

Ai tha se i kanë bërë thirrje urgjente Gruevskit të shtyjë ekipin e tij të ndërmerr reformat e duhura për implementimin e shpejtë marrëveshjes që të sigurojë terren për zgjedhje të drejta dhe kredibile në sytë e vendasve dhe ndërkombëtarëve dhe gjithashtu të merr përgjegjësi për shkeljet e mundshme.

Gareth përmendi edhe prokuroren speciale, Katica Janeva.

“Presim që prokurorja speciale e zgjedhur nga votimi me unanimitet, ti merr resurset e nevojshme për të funksionuar” tha Gareth.

I bëjmë thirrje urgjente edhe LSDM-së, ta plotësojë obligimin e tyre të marrëveshjes, mos të publikojnë materiale nga afera e përgjimeve, porositi Gareth, njofton Portalb.

Ai potencoi se Marrëveshja e Përzhinos i obligon partitë që ta vendosin interesin shtetëror para atij partiak dhe këtë ta dëshmojnë në pajtim me procesin integrues dhe vlerave demokratike evropiane.

“Të gjitha partitë duhet të veprojnë me urgjencë absolute. Mos-veprimi do të ketë pasoja negative në rrugën euro-atlantike të Maqedonisë. Qeveritë, posaçërisht krerët e tyre kanë një përgjegjësi të madhe, të veçantë në kohë krizash politike. Ata duhet të veprojnë urgjentisht dhe me vepra ta dëshmojnë punën e tyre dhe kur ta bëjnë këtë, ndërkombëtarët janë këtu për t’i mbështetur” potencoi Gareth.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button