Kosova nënshkroi MSA-në, fillon epoka e re për integrimin në BE

Ministri i Integrimeve Evropiane i Kosovës, Bekim Çollaku, sot në Strasburg, ka nënshkruar Marrëveshjen e  Stabilizim Asocimit (MSA) të Kosovës me Bashkimin Evropian, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sapo vura nënshkrimin tim në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Jam i lumtur dhe krenar që kam qenë pjesë e këtij momenti historik të përcaktimit formal të Republikës së Kosovës drejt integrimit dhe anëtarësimit në BE. Këtë ia thash sot edhe Përfaqësues së Lartë Mogerini si dhe Komisionerit Johannes Hahn” tha ministri Çollaku në një postim në profilin e tij në Facebook.

Më tej, ai tha se Kosova është e gatshme për të marrë përsipër detyrimet dhe të bëjë reformat e nevojshme për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE.

“Pa dyshim, si rezultat i kësaj marrëveshjeje, fati i Kosovës dhe i BE-së në të ardhmen do të jetë i lidhur më ngushtë, dhe unë fuqimisht besoj se kjo është një e arritur e madhe, e drejtë dhe plotësisht në përputhje me interesin tonë shtetëror për integrime euro-atlantike” tha Çollaku.

Ministri Çollaku në Strasburg shoqërohej nga kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri i parë dhe njëherësh, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi

Kryeministri Mustafa e ka cilësuar MSA-në si “Marrëveshje tepër të rëndësishme për Kosovën sepse krijon mundësi që Kosova të ketë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian dhe të ketë një cilësi krejt tjetër të bashkëpunimit ekonomik me vendet e Bashkimit Evropian”

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së  Stabilizim Asocimit me BE-në, kryeministri Mustafa ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për t’i vazhduar reformat e gjithëmbarshme në vend, me të cilat do të mundësohet rritja e zhvillimit ekonomikë dhe sferave të tjera, për një jetë më të mirë të qytetarëve dhe për një perspektivë të qartë të Kosovës, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kreu i qeverisë kosovare, Isa Mustafa, ka deklaruar se procesi i nënshkrimit të Marrëveshjes për  Stabilizim Asociim me BE-në është vetëm fillimi i një rruge të gjatë, për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

“Kjo është një rrugë për të cilën ne nuk kemi alternativë tjetër, sepse kjo alternativë është përkrahur dhe përqafuar nga qytetarët tanë dhe nga gjithë miqtë tanë ” tha kryeministri Mustafa dhe shoi se: “MSA-ja cilësohet me rëndësi historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në është proces gjatë të cilit vendi që dëshiron të vendos marrëdhënie më të afërta me BE-në, sidomos në tregti të lirë, kalon nëpër reforma legjislative dhe administrative për tu përgatitur për këtë. Por, duhet theksuar se, MSA-ja dallon prej procesit të anëtarësimit në BE”.

MSA është proces tjetër i cili krijon marrëdhënie më të mira tregtare dhe nuk fokusohet vetëm në reformimin e fushave të cilat mundësojnë tregtinë e lirë me BE-në dhe rajonin por, fokusohet edhe në bashkëpunimin rajonal, sistemin e drejtësisë dialogun politik rajonal, drejtësinë dhe punët e brendshme.

Reformat e arritura përmes MSA-së kontribuojnë në lehtësimin e procesit të anëtarësimit në BE mirëpo këto dy procese, MSA dhe anëtarësimi në BE, nuk janë të lidhura njëra me tjetrën.
Asistenca financiare që vjen nga BE-ja gjatë këtij procesi fokusohet në implementimin e reformave kryesore që identifikohen përgjatë fushave kryesore të MSA-së, që kanë të bëjnë me tregun e lirë dhe çështjet e drejtësisë/rendit dhe ligjit.

Konkretisht, nëse shteti i Kosovës nuk ka ligje të mira për sigurinë e ushqimit dhe kontrollin e prodhimeve “made in Kosova” para se të eksportohen në vendet e BE-së, atëherë, ndihma financiare e BE-së do të fokusohet në përmirësimin e këtij ligji dhe do të ndihmoj në themelimin e institucionit i cili do të mbikëqyrë zbatimin e këtij ligji, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve evropian prej prodhimeve ushqimore jocilësore dhe të rrezikshme për shëndetin.

Në të kaluarën, MSA-ja ka qenë mjaft e rëndësishme për vendet që kanë eksportuar në BE sepse, kompanive të atyre vendeve iu ka mundësuar qasje në tregun e BE-së, me kushte shumë të mira.

Në rastin e Kosovës, nënshkrimi i MSA-së me BE-në është shumë i rëndësishëm në aspektin e vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe do ta qartësojë ligjërisht relacionin e Kosovës me BE-në.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button