Turpërimi i BE-së dhe ndërkombëtarëve

Është groteske, e palogjikshme që akoma të bisedohet për tema të cilat të gjithë i menduam të përfunduara disa muaj më parë. Shumë sish bile edhe u gëzuan, dhe paralajmëruan fundin e një diktature në atë kohë. Është akoma më e pakapshme, se si mundet një grup i vecuar politikanësh populistë t’i bëjnë ballë aq fuqishëm presionit – në dukje të madh – ndërkombëtar. A mos arsyeja qëndron në dyshimin që bashkësia ndërkombëtare nuk ka fuqi dhe autoritet mbi këta njerëz, që shpeshherë i kemi quajtur diktatorë, apo diktatoruçë… Apo ndoshta interesi i këtyre diktatoruçëve është aq personal dhe i ngushtë shpirtërisht, sa të mos cënohet nga premtimet apo kërcënimet lidhur me statusin ndërkombëtar të Maqedonisë, nga premtimet dhe lajkat e ndërkombëtarëve për datë fillimi bisedimesh për hyrje në BE apo karreme të ngjashme? Përvec vetë diktatoruçëve dhe kolltukofagëve, vështirë se ne të tjerët mund të bëjmë gjë tjetër vecse të spekulojmë dhe të supozojmë lidhur me atë se cilat janë arsyet dhe motivet e tyre.

Njerëz të tillë që nuk inkurajohen për të bërë një të mirë për vendin – liderë të të cilit janë, dhe për popullin – të zgjedhur të të cilit janë; që nuk tregojnë burrëri dhe lidership duke i hapur rrugën demokracisë dhe duke pranuar karremet e bashkësisë ndërkombare; që nuk tremben përpara kërcënimeve për futje në lista të zeza, dhe për bllokim llogarish; të tillë njerëz janë të frikshëm. Të tillë njerëz janë të bindur në gjithëpushtetshëmrinë e tyre dhe si të tillë janë të pamëshirshëm dhe të palëkundshëm. Këta politikanë nuk mund t’i quaj më diktatoruçë, por diktatorë të vërtetë. Njerëz të cilët, në rast se do të përdornin këtë vendosmëri dhe këtë trimëri në suaza dhe në rrethana tjera, do ta shpienin këtë vend drejt një përparimi të paparë; fatkeqësia është që kanë zgjedhur anën e gabuar. Besoj që do të mbeten në histori si të anës së errët, gjithmonë nëqoftëse nuk mbeten në perpetualitet të gjithëpushtetshëm.

Mesa duket edhe diktatorllëku kërkon një farë përvoje, si cdo punë tjetër fundja. Me lëvizjet politike të vitit të fundit, këta pak njerëz tregojnë që janë kamur bollshëm me përvojë, e cila pastaj në anën tjetër ju krijon atyre mundësinë të mbeten në këmbë pas të gjitha goditjeve –sa lartë, sa poshtë që jua jep opozita, opinioni publik dhe bashkësia ndërkombëtare. Që fuqia e tyre rritet akoma më shumë më është bërë e qartë qëmoti, vis-a-vi opozitës së dobët, të paorganizuar dhe frikacake; vis-a-vi një opinioni publik që nuk ka guximin dhe resurset e mjaftueshme për të bërë presion vendimtar mbi këtë klikë të plotfuqishme. Por që do të mbisundonin edhe ndaj faktorit ndërkombëtar, këtë nuk e kisha pritur. Sepse dështimin e vërtetë në këtë krizë politike që ka kapluar Maqedoninë e shoh tek ndërkombëtarët.

Në një vend të vogël si tonin, me një shoqëri civile të defaktorizuar dhe të trembur dhe me një opozitë pa kondicion dhe trimëri, shpresën e kishim varur tek këta ndërkombëtarë, që aq shpesh “na kishin dalë në ndihmë” në momentet e vështira. Nuk dua të tingëlloj si cinik, por situata është cinike në vetvete. Ndoshta një humor anglez, në stilin Monty Python do ta humorizonte cinizmin, por në gjendjen shpirtërore në të cilën ndodhemi, edhe humori është i zymtë. Prandaj do të mundohem të tingëlloj si realist dhe racionalist. Realiteti është që ndërkombëtarët kanë dështuar tërësisht në mënyrën se si e trajtuan krizën politike këtu. Dështuan në fillim të krizës, kur plasën bombat meqë dhanë mesazhe të paqarta; dështuan në vijim derisa u munduan të krijonin njëfarë atmosfere bisedimesh dhe allashvereshi politik gjoja në përpjekje për të gjetur një zgjidhje konstruktive dhe konsenzuale të krizës – gjë që edhe sot mbetet një opcion gati i pamundur dhe i parealizueshëm. Prandaj aspak nuk është për t’u cuditur që sot kanë humbur tërë kredibilitetin në sytë e këtyre diktatorëve dhe atyre të palës tjetër që ëndërrojnë pushtetin. Prandaj metodat klasike negociuese nuk funksionojnë, as premtimet dhe lajkat, as shantazhet dhe kërcënimet. Nuk treguan seriozitet në asnjë moment të këtyre 7-8 muajve që kur plasën bombat; nuk treguan vizion as kur e banalizuan kontestin e emrit duke e lënë tërë fuqinë e një organizate aq të fuqishme ekonomike dhe politike në duart e dy regjimeve shoveniste – vmrovjane dhe greke. Me një fjalë nuk i luajtën kartat e duhura në kohën e duhur. Dështim i tërësishëm diplomatik, debakël politik, dëshpërues dhe zhgënjyes. U bënë lojë në duart e një grupi diktatoresk katër anëtarësh. E frikshme dhe joracionale ardhmëria e këtij vendi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button