Njëherë e gjuan me vezë, tani i kërkon falje, Taulant Capa kryeministrit Gruevski

Djali i cili para një viti sulmoi makinën e kryeministrit Gruevski në Tiranë, Taulant Capa, sot ka ndryshuar krejtësisht mendje nga akti i tij, duke dashur të tregonte se është penduar. Jo vetëm kaq, por Capa i ka kërkuar personalisht falje Gruevskit, në zyrën e tij. Sulmi me shishe nuk ka qenë si pasojë e ndonjë revolte si që deklaroi ai kohë më parë, përkundrazi, Capa theksoi sot me keqardhje para Gruevskit se respekton shtetin e përbashkët dhe punën e tij si kryeministër.

Taulant Capa, i cili përflitej si përfaqësues i Partisë Civile, që deri dje dënonte ashpër dhunën dhe denigrimin e shqiptarëve në Maqedoni, sot theksoi se mundësia e takimit me kryeministrin, për të, përfaqëson dëshmi për politikat pozitive dhe përcaktimin për bashkëjetesë dhe respekt të ndërsjellë si parimet kryesore të funksionimit të shtetit.

Kryeministri Gruevski ka dëgjuar me vëmendje mysafirin e tij, në një atmosferë miqësore, dhe në fund të takimit, i ka uruar sukses dhe fat në jetë. Policia kufitare e Bllacës, dy ditë më parë, e pati ndaluar Taulant Capën teksa hynte në Maqedoni, duke e lënë të lirë pas disa orësh.

Nuk dihet se çfarë e ka bërë qytetarin Capa të ndryshojë mendje, kur në vizitën pak kohë më parë të Gruevskit në Tiranë, në shenjë patriotizmi të thellë dhe indinjatë ndaj politikave të tij si anti-shqiptare sulmoi me shishe dhe vezë makinën e kryeministrit.

Edhe në protestat e marsit, Capa dogji fotografinë e Gruevskit para ambasadës maqedonase në Tiranë. Më herët, Capa pati pranuar se kishte përjetuar presion policor ndaj tij dhe familjes, madje në shkrimet në media, ankohej se policia rrethonte dhe ruante herë pas here aktivitetin e familjarëve të tij. 

Lajme të ngjashme

Back to top button