MASH dhe MPB ta marrin përsipër sigurinë nëpër shkolla

Çështja e sigurimit të shkollave të mesme duhet të rregullohet në mënyrë institucionale, ashtuqë M.A.SH. të ndajë mjete për sigurimin brenda objektit shkollor, për të parandaluar konfliktet mes nxënësve; ndërsa M.P.B. të angazhojë policë të uniformuar, për të parandaluar konfliktet e mundshme vetëm jashtë dyerve të shkollave. Kështu shprehen për Portalb kumanovarët, të cilët shfaqën nevojën e madhe për sigurimin e institucioneve edukativo-arsimore.

Hisen Rrahmani, drejtor i Shkollës së Mesme Gjimnazi “Sami Frashëri” për Portalb deklaroi: “Mendojmë se sigurimi është i nevojshëm, pasiqë është problem të mbahet kontroll, që të mos vijë deri te konflikti mes nxënësve të gjeneratës së njejtë, apo nxënës të gjeneratave të ndryshme. Vitet e kaluara për sigurim ka paguar 50% komuna dhe 50% prindërit e nxënësve. Këtë vit ende nuk e kemi regulluar çështjen e sigurimit, por prindërit kanë kërkuar që të ketë sigurim në shkollë: Janë mbajtur mbledhje nëpër klasa dhe pastaj përfaqësuesit e klasave në këshill të prindërve kanë vendosur që të ketë sigurim.”

I pyetur se cila do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë çështje, Rrahmani u përgjigj: “Do të ishte mirë që Ministria e Arsimit të ndajë mjete për sigurim në çdo shkollë, pasiqë mendojmë se sigurimi është i nevojshëm për shkak të lirive të nxënësve dhe rrethanave që janë krijuar.” 

Për Portalb foli edhe drejtori i Shkollës së Mesme Ekonomike “Pero Nakov”, Elham Ademi: “Sigurimi i shkollës është çështje e rregulluar nga ana e Këshillit të Prindërve. Sikur dhe vitet tjera ashtu edhe këtë vit prindërit e paguajnë një punëtor, ndërsa punëtorin tjetër e paguan komuna. Megjithatë varianti më i mirë është rregullimi i kësaj çështje në mënyrë institucionale, d.m.th. nga ana e Ministrisë së Arsimit e jo t’i lihet nxënësve të paguajnë privat nga 400 den. çdo vit.”

Ai konfirmoi praninë e problemeve gjatë grumbullimit të pagesës.

“Pikërisht ata për të cilët sigurimi është ferrë në sy, nxënëits problematikë nuk kanë vullnet që të paguajnë, por reagojnë nxënësit e mirë. Personalisht jam në vëzhgim të punëtorëve të sigurimit dhe jam i kënaqur nga puna që e bëjnë, pasi që nuk është punë aq e lehtë, derisa gjatë një ndërrimi në objektin e shkollës ndodhen rreth 300 nxënës, ndërsa në mesditë kur bëhet ndërrimi takohen njëkohësisht rreth 500 nxënës. Po për dallim nga shkollat tjera, ku nxënësit menjëherë pas mësimit dalin në rrugë dhe shkolla më nuk ka përgjegjësi, në shkollën tonë ka hapësirë dhe kjo ndikon që të ketë më shumë konflikte, që janë nën përgjegjësinë e sigurimit të shkollës.”

“Në fillim të vitit shkollor me Këshillin e Arsimtarëve kemi bërë kërkesë me shkrim deri te SPB, Këshilli Komunal dhe drejtëpërdrejtë deri te Kryetari i Komunës: Kërkesa e parë ishte vendosja e pengesa në rrugë, pasi që për çdo vit ndonjë nxënës shkelet nga veturat që kalojnë, po edhe rasti i fundit që ishte fatal  për 4 djemtë këtu ndodhi; Kërkesa e dytë ishte vendosja e mbrojtëseve në trotuarin në rrugën mbi urë e deri tek shkolla, pasi aty qarkullojnë nxënësit dhe po të ndodhë diçka të mos dëmtohen; Dhe kërkesa tjetër ishte patrullimi i policisë në rrugë, që të mos ketë probleme nga rrugaçët, pasiqë kompetencat e sigurimit të shkollës mbarojnë jashta dyerve të objektit shkollor.”-sqaroi Elham Ademi. Sipas tij, policët vijnë rrallë e në mungesë të tyre, si persona të autorizuar dhe të uniformuar,  rrugaçët fare para dyerve të shkollës bëjnë truke me vetura, motora dhe shkaktojnë incidente. “Konfirmoj se përveç sigurimit brenda objektit edukativo-arsimor është i nevojshëm sigurimi për nxënësit nga rrugaçët jashtë dyrve të shkollës dhe kjo është punë e policisë. Policia duhet të jetë aty prezent dhe të kujdeset që nxënësit të mund lirshëm të dalin gjatë kohës së pushimit.”-theksoi Ademi.

Në emër të nxënësve për Portalb u prononcua edhe kryetari i Unionit të Nxënësve të një prej shkollave të mesme: “Po, ka nevojë për sigurim, por shpesh nxënësit ankohen se punëtorët e sigurimit nuk e kryejnë punën siç duhet: Ata nuk reagojnë për të ndalur zënkat ose nuk i trajtojnë të gjithë nxënësit njësoj. Megjithatë shpesh ndodh që zënkat e filluara brenda objektit shkollor, të mbarojnë jashtë objektit, kështuqë do të ishte mirë sikur të ketë policë në afërsi që do të kujdeseshin… Ndërkohë edhepse vendimi për të pasur sigurim mirret nga këshilli i prindërve, kur vie koha e pagesës nxënësit ankohen se është shtrenjtë. Të gjithë e dijmë standartin në të cilin jeton shumica e popullatës, andaj mendoj se do të ishte mirë sikur jo nxënësit por MASH ta paguante sigurimin.” 

“Ne si qytetarë mjaftë e mbushim buxhetin me tatime e taksa, që paguajmë vazhdimisht dhe besoj që është e tepërt të japin të holla shtesë për sigurimin e fëmijëve në shkollë. Pra duhet që M.A.SH. të sigurojë punëtorë prej M.P.B. dhe jo të ketë nevojë për sigurim nga kompani private. Në këtë mënyrë edhe siguria brenda objektit shkollor po edhe jashtë do të jetë më efikase.”-tha M.A., prind.

Disa ditë më parë nga zyra për informim e MASH për Portalb konfirmuan: “Nuk është nën kompetencat e MASH-it që të paguhet sigurimi në shkollë. Vetë shkollat duhet ta rregullojnë këtë çështje./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button