Klasat e shkollave, punëtori e kompjuterave të prishur që vidhen çdo ditë

Projekti qeveritar që çdo nxënës i shkollës fillore edhe i asaj të mesme të pajiset me kompjuter, siç duket nuk po e arrin qëllimin e duhur. Përveç  vjedhjeve të shumta që ndodhën në shkollat anembanë Maqedonisë, ku u zhdukën me mijëra kompjuterë dhe laptopa, edhe ato që kanë mbetur janë amortizuar nga mos përdorimi i rregullt.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme , Liza Bendevska bën të ditur se po punohet  në zbardhjen e rasteve ku janë vjedhur një numër i kompjuterëve në shkolla.
“Jemi duke punuar në mënyrë intensive për kapjen e autorëve përgjegjës për vjedhjet e kompjuterëve në shkollat fillore dhe të mesme. Deri më tani janë zbardhur mbi 50 për qind e rasteve të paraqitura në MPB”, tha Bendevska.

Siç duket shprehia e vjedhjes se kompjuterëve po shkon duke u rritur ngase vetëm javën e kaluar u vodhën 61 laptopa nga shkolla fillore “Stiv Naumov” në Shkup. Kurse prej muajin janar e deri më tani janë kryer 70 vjedhje të kompjuterëve ne shkolla të ndryshme të Maqedonisë.

Ndërkaq drejtori i shkollës fillore “Liria” në Shkup, Talat Sadiku bën të ditur se deri më tani janë kryer  katër vjedhje në këtë shkollë ku janë vjedhur një numër i madh i kompjuterëve.

“Deri më tani në shkollën tonë janë vjedhur një numër i konsiderueshëm i shtëpizave dhe monitorëve ku ka pasur katër thyerje të objektit shkollor”, tha Sadiku.
Ai shtoi se në këtë shkollë janë 35 shtëpiza, 203 monitorë dhe 198 laptop,ku një numër i madh i tyre nuk funksionojnë. 

“Nuk ka askush që është caktuar për mirëmbajtjen e kompjuterëve dhe laptopave, ato prishen çdo dit dhe shumica kanë ngelur jashtë përdorimit, ose nëse duan arsimtarët paguajnë vetë personalisht”, theksoi Sadiku.

Lajme të ngjashme

Back to top button