Lëvizja Eco Guerilla: Prokurori special të hetojë edhe rastin “Jugohrom”
Pas heshtjes së gjatë të institucioneve siç janë Prokuroria Publike në Tetovë, Avokati i Popullit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Qeveria në përgjithësi, Lëvizja Eco Guerilla njofton opinionin se po detyrohen sërish t’u kthehen aktiviteteve me qëllim që të detyrojnë institucionet zbatimin e ligjit dhe të mbrojnë mbi 200 mijë qytetarë nga helmimi masiv që po shkakton fabrika e Jugohromit dhe faktorët tjerë në rrethin e Tetovës.
“Duke marrë parasysh kapadahillëkun e Jugohromit në raport me Qeverinë dhe faktin se përmendet në “Bombën e 28-të”, ne kërkojmë dhe besojmë se është obligim i Prokurorit Special të hetojë edhe këtë rast, për të cilin ne mendojmë se është shumë serioz dhe me pasoja afatgjate ndaj shëndetit të gjeneratave të tëra. Tolerimi i Jugohromit nuk duhet toleruar në asnjë mënyre”, thuhet në reagim.
Lëvizja Eco Guerilla pret nga Prokurori Special të hetojë dyshimet për mënyrën e pajisjes me leje të Jugohromit dhe vazhdimit të të njëjtave, duke mos zbatuar asnjë plan të propozuar nga udhëheqësit e saj.
Prokurori Special është i obliguar të hetojë këtë rast nga Marrëveshja e 2 Majit, por edhe opinioni patjetër të dijë përgjigjet e pyetjeve:
- Si mund që Jugohromi të vazhdojë afatet për instalimin e filtrave deri në pafundësi, duke mos dhënë asnjë llogari institucioneve?
- Sa leje i janë dhënë, në bazë të cilave kritere dhe cilët ministra kanë nënshkruar ato leje? A është dhënë ryshfet dhe kujt?
- Pse nuk u ndalë prodhimi deri në vendosjen e filtrave, siç ndodhi me ‘Makstil’?
- Pse institucionet shëndetësore nuk japin të dhëna lidhur me rritjen e rasteve të vdekjes nga kanceri , të sëmundjeve në organet e frymëmarrjes, në Tetovë dhe rrethinë?
- Kush përfiton nga helmimi që shkakton Jugohromi dhe sa është ky fitim i tyre?
- Si është e mundur që Jugohromi, edhe përskaj thyerjes së ligjeve dhe ndotjes alarmante, si gjobë të paguaj një shumë simbolike prej disa qindra eurosh? Pse Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk e gjobit në bazë të ligjit, ashtu siç ndodh me kompanitë tjera private?
- Pse pjesa më e madhe e deputetëve nga zona e Tetovës nuk kanë ngritur zërin ndaj helmimit masiv të banorëve që përfaqësojnë?
- Pse deri më tani ka heshtur Avokati i Popullit, i cili ka obligim ligjor e kushtetues të mbrojë qytetarët e rrezikuar të Tetovës dhe komunave përreth?
Ata u bëjnë apel qytetarëve që të mbështesin në të gjitha format aktivitetet e tyre në vazhdim, me qëllim të arritjes së qëllimit tone mjaft human.
“Gjithashtu, i vihemi në dispozicion Prokurorit Special për çdo asistencë të mundshme nga ne si Lëvizje, me qëllim që përgjegjësit e helmimit dhe tregtarët e shëndetit tonë të marrin burgun e merituar”, përfundon reagimi.