Një moment i keq për të angazhuar Turqinë…

Hiç më larg se në vitin 2014, zyrtarët evropianë kanë deklaruar pa mëdyshje se Turqia “nuk është e aftë politikisht për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, për shkak të situatës së keqe me të drejtat e njeriut, marrëdhënieve kontestuese me Qipron dhe mungesës së ngjashmërisë kulturore me pjesën tjetër të Evropës, shkruan REL.

Ky koment vjen në javoren amerikane Newsweek, vetëm pak ditë pasi udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë miratuar një plan veprimi për Turqinë, me shpresë se do të lehtësojë fluksin e migrantëve në Evropë.

Ata i kanë ofruar Turqisë tre miliardë euro, si dhe perspektivë në liberalizimin e vizave dhe në bisedimet për anëtarësim në BE.

Gazeta Newsweek vlerëson se nëse BE-ja do të kishte mënyrë tjetër për të zgjidhur krizën me migrantë, ajo as që do ta vinte në tryezë të diskutimeve të ardhmen evropiane të Turqisë.

“Si një lojtare e keqe në poker, BE-ja u ka treguar palëve të përfshira se ka mbetur pa opsione dhe se është e gatshme për çfarëdo hapi për të ruajtur veten nga rrëmuja, ku është futur”, shkruan javorja Newsweek.

Duke komentuar zotimet e BE-së, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se Bashkimit Evropian i ka rënë në mend vonë për rëndësinë e Turqisë në frenimin e fluksit të migrantëve.

Ai po ashtu ka akuzuar BE-në për mungesë sinqeriteti në bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në bllok.

Por, sido që të jetë, premtimet e BE-së shihen si fitore e madhe për të, marrë parasysh se zgjedhjet parlamentare në Turqi do të mbahen më 1 nëntor.

Gazeta Newsweek shkruan se efekti mund të ndikojë elektoratin në favor të partisë së Erdoganit, por jo në favor të demokracisë në Turqi, pasi Erdogani është ai që ka shkelur të drejtat e njeriut dhe ka shtypur protestat paqësore.

Se Evropa ka zgjedhur moment të keq për të angazhuar Turqinë, vlerëson edhe një editorial në gazetën britanike The Financial Times.

“I udhëhequr nga opozita e Francës dhe Gjermanisë, Bashkimi Evropian ka braktisur Turqinë rreth shtatë vjet më parë, kur vendi po bëhej një demokraci e vërtetë. Tani, e ndikuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, BE-ja po ripërqafon Turqinë, e cila nën sundimin e presidentit Recep Tayyip Erdogan është në rrezik të bëhet si Siria”, shkruan gazeta Financial Times.

Erdogan ka thirrur zgjedhjet e parakohshme më 1 nëntor, pasi Patia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim nuk ka arritur të sigurojë shumicën në zgjedhjet e qershorit.

Financial Times shkruan se jo shumë turq ushqejnë ende iluzione për BE-në dhe kjo lë të kuptohet se Erdogan, megjithatë, nuk e ka të sigurt fitoren.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button