Parlamenti i ri i Zvicrës: një kurde, një ish-shef i OSBE-së në Kosovë, shumë gra, plot juristë, një publicist gjuhëbrisk

5 fakte pas zgjedhjeve parlamentare në Zvicër ka shpalosur dialogplus.ch.

1. Për fat të keq asnjë kandidat shqiptar nuk ka arritur të zgjidhet në Parlamentin e Zvicrës në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Por ky është vetëm fillimi. Pas 4 apo 8 vitesh mund të jetë krejt ndryshe. Megjithatë, një zvicerane me origjinë të huaj ka pasur sukses: bëhet fjalë për Sibel Arslan nga Baseli. Ajo ka lindur në Turqi më 1980, që nga viti 1991 jeton në Zvicër, që nga viti 2005 është aktive në politikën e qytetit të Baselit. Kjo kurde i takon partisë BASTA, e cila shpeshherë është më majtiste se Partia Socialdemokrate e Zvicrës.

2. Në parlament është zgjedhur për herë të parë edhe Tim Guldimann, diplomat i njohur i Zvicrës, ish-shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ish-ambasador në Teheran dhe në Berlin, profesor, autor librash, intelektual publik. Guldimann ka kandiduar për Partinë Socialdemokrate. Është mbështetës i integrimit të Zvicrës në Bashkimin Europian.

3. Me rezultat të shkëlqyer është zgjedhur deputet edhe Roger Köppel, publicisti më gjuhëbrisk i Zvicrës, pronar dhe kryeredaktor i revistës «Weltwoche», e cila hapur e mbështet Partinë Popullore të Zvicrës (SVP), e cila të dielën fitoi më së shumti vota. Köppel ka punuar gazetar në «Neue Zürcher Zeitung», ka qenë kryeredaktor i shtojcës javore «Das Magazin», e cila shpërndahet çdo të shtune me gazetën «Tages Anzeiger» dhe gazeta të tjera të Zvicrës, dhe kryeredaktor i gazetës gjermane «Die Welt». Köppel është mbështetës i fuqishëm i idesë se Zvicra mund t’ia dalë vetë, pa u integruar në Bashkimin Europian. Revista e tij është pothuaj organ i SVP-së populliste, që kritikët e përshkruajnë si një lloj «Pravde» alpine.

4. Zvicra një kohë të gjatë nuk ka qenë shembull i të drejtave politike të gruas. Deri në vitin 1971 shumica e burrave zviceran ishin të mendimit se gruaja e ka vendin te shporeti. Tek atë vit në një referendum burrat lejuan që edhe gratë të marrin pjesë në zgjedhje. Në zgjedhjet e sivjetme në parlament janë zgjedhur 64 gra ose 32 për qind e parlamentit. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë gra në parlamentin e Zvicrës. Megjithatë, ato prapë mbesin të papërfaqësuara si duhet, ndonëse përbëjnë një shumicë të lehtë të popullsisë zvicerane.

5. Në parlamentin e ri të Zvicrës juristët janë të përfaqësuar më mirë se kurrë. Çdo i pesti parlamentar është jurist. 8 për qind e deputetëve janë bujq. 60 deputetë përfaqësojnë ekonominë dhe zejtarinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button