Festa mbaroi, po tani ç’do bëhet?

Thonë se çudia më e madhe e mundshme në këtë botë nuk zgjat më tepër se tre ditë. Aq duket se zgjati dhe festa për kualifikimin e Shqipërisë në “Euro 2016″dhe tashmë atmosfera pritet të rindizet vitin e ardhshëm, kur Kombëtarja jonë do të luajë në fazën e grupeve në Francë. Pak e çuditshme kjo festë. E çuditshme sepse ne si komb jemi përfaqësuar po në Evropë, por në këngë. Madje, në Eurosong kemi arritur edhe majat e klasifikimit, por se askush nuk festoi për këtë arritje.

Gjithsesi, entuziazmi i lartë fillestar i festës ka rënë thuajse fare tanimë. Në qytetet tona po e njëjta situatë, po e njëjta panoramë. Në Shqipëri vijojnë spektaklet e së enjtes, ku shqiptarët ngazëllehen përpara televizionit, në Kosovë nuk dihet se cilin politikan të radhës e kap ndonjë vezë fytyrës, ndërsa në Maqedoni nuk po mbarojnë enigmat, sherret dhe përplasjet brenda shqiptarëve.

Kombëtarja Shqiptare e përbërë nga futbollistë nga të gjitha trevat shqipfolëse, ndër të tjera dha një mesazh që politika jonë nuk e ka dhënë: Të bashkuar dhe pa inate të brendshme, mund t’ia dalim!

Kombëtarja jonë dha mesazhin se bashkimi i disa njerëzve rreth një qëllimi të përbashkët, paçka vështirësive apo vuajtjeve rrugës, mund të triumfojë një ditë dhe të gëzojë pjesëtarë të të gjitha moshave të një kombi të vogël.

Politika shqiptare, ndryshe nga përfaqësuesja duket të jetë e përçarë, e polarizuar dhe pa një vizion të përbashkët.

Polarizimi i shoqërisë në Shqipëri duket që nga ajo se Erion Veliaj organizon 70-vjetorin e Çlirimit, duke përkujtuar vetëm partizanët dhe duke nderuar vetëm të majtët, a thua se nuk ka pasur edhe të djathtë që kanë  luftuar për çlirim të vendit. Kjo është ta ndash shoqërinë, të kategorizosh disa persona se këta “e humbën luftën”, kurse këta të tjerët “e fituan”.

Për të mos folur për përplasjet e dhunshme verbale në arenën parlamentare, të cilat vetëm sa krijojnë përçarje në klasën politike dhe varfëri në shoqëri.

Në Kosovë dhe në Maqedoni po njëjtë, me formulën e famshme makiaveliste të politikës “Përça e sundo” vijon të sundojë hajnia, mashtrimi dhe marria.

Kombi shqiptar diti të përfaqësohet denjësisht, kur kombasit e vet bëhen bashkë për një qëllim të përbashkët dhe aq më tepër largohet targeti nga ky qëllim, sa më tepër të përçarë janë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button