Njoftimet për shtyp janë vetëm një pjesë e lajmit

[Recension: “Lëvizja BESA përkrah Këshillin e Prindërve të shkollës “Imri Elezi”]

Nuk mund të konsiderohet si punë profesionale e një gazetari nëse ai thjesht transmeton informacione nga prononcimi zyrtarë i një organizate ose në rastin më të keq, nëse ai transmeton të plotë njoftimin për shtyp të organizatës. Gazetari duhet të plotësojë njoftimin me informacione shtesë që kanë lidhje me ngjarjen dhe që qartësojnë idenë që përcillet te publiku.

Shenja - Levizja Besa perkrah Keshillin e Prinderve te shkolles Imri Elezi 1Linku për te artikulli origjinal: “Lëvizja BESA përkrah Këshillin e Prindërve të shkollës “Imri Elezi””
Data dhe koha e publikimit: 14.10.2015
Data e recensionit: 15.10.2015
Recensues: Fatlume Dervishi

Në shembullin e tekstit që është marrë për analizë transmetohet (e plotë) një komunikatë për shtyp e Lëvizjes BESA ku pasqyrohet qëndrimi që mban ky subjekt politik për zhvillimet e fundit në shkollën “Imri Elezi” (Nikolla Vapcarov) të Çairit. Gabimi i gazetarit qëndron në faktin se ai nuk ka njoftuar lexuesin se po përcjellë deri te ata një komunikatë për shtyp dhe që artikulli nuk është një lajm i mirëfilltë gazetaresk.

“Këshilli vendor i Lëvizjes BESA – Çair reagon ashpër ndaj politikave diskriminuese arsimore që po zbatohen në shkollën “Imri Elezi (Nikolla Vapcarov)”, por edhe ndaj përgjegjësve për arsim në Komunën e Çairit, si edhe ndaj Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë, që udhëhiqet nga një kuadër i BDI-së.”

Ai duhet të informonte publikun se ata që thuhen janë qëndrime të subjektit në fjalë dhe jo fjalët e gazetarit. Kështu siç është, lihet përshtypja sikur këta janë qëndrime të medias.

“Prandaj u bëjmë thirrje organeve kompetente, që urgjentisht të hapen klasa shtesë dhe kështu një herë e përgjithmonë të zgjidhet problemi me numrin e shtuar të nxënësve, në mënyrë që procesi mësimor të zhvillohet normalisht.“

“Gazetari” që ka përcjellë tekstin nuk bën me dije që këtë thirrje e bën Lëvizja BESA dhe jo media.

Teksti është i mbushur me pretendime subjektive të tipit  “Lëvizja BESA qëndron pranë Këshillit të Prindërve të kësaj shkolle” dhe citimi i burimit ka qenë mëse i nevojshëm. Përveç për të shmangur subjektivitetin dhe njëanshmërinë në tekst, citimi do të kursente gazetarin edhe nga shkelja e të drejtës së autorit.

Jo të gjithë lexuesit janë në dijeni të rrjedhshmërisë së ngjarjeve në këtë shkollë dhe të shprehjes së revoltës dhe reagimit nga ana e prindërve të nxënësve. Prandaj gazetari duhet të sillte edhe qëndrimin e Këshillit të prindërve ose më e pakta që mund të bënte, të linkonte artikuj paraprak ku ka raportuar (nëse ka raportuar) për kërkesat e këtij Keshilli, siç thuhet në tekst, “për të siguruar kërkesat elementare për nxënësit që janë ardhmëria jone”. Gjithashtu po kaq e rëndësishme është edhe mendimi i organeve kompetente të shkollës në fjalë, të Komunë së Ç airit dhe të Ministrisë së Arsimit meqë gishti drejtohet drejt tyre si përgjegjës për gjendjen. Sfondi do t’i jepte një kuptim shumë më të qartë qëllimit të komunikimit të këtij mesazhi në publik.

Lajme të ngjashme

Një koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button