Shkup, FRI shënoi Vitin e Ri Islam, dekoroi më të mirët, ndër to edhe gazetarja e Portalb-it

Forumi Rinor Islam organizoi manifestimin tradicional të Vitit të Ri të kalendarit islam, Hixhri 1437. Manifestimi në fjalë u mbajt në Sallën Opera dhe Baleti, në Shkup.Ndërkaq, pika kryesore e këtij manifestimi, si çdoherë, ishte dekorimi i studentëve më të mirë të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit të Shkupit, Universitetit Ballkanik, Universitetit FON dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Po ashtu u dekoruan edhe shtatë më të mirët me notën mesatare 10.00.

Redaksia Portalb me krenari njofton se një ndër studentët më të mirë është edhe gazetarja jonë Anesa Aliti e cila mbajti fjalë rasti në emër të studentëve.

Është ky viti i pesëmbëdhjetë që Forumi Rinor Islam organizon këtë aktivitet madhështor. Ashtu siç është traditë e këtij manifestimi, u bë shpallja e shkollarëve të mesëm dhe studentëve më të dalluar të shkollave dhe universiteteve nga disa qytete të vendit tonë.

Hapja e manifestimit u bë me lexim të Kuranit nga hafizi Abdulkerim Ebibi duke vazhduar më pas me fjalën përshëndetëse të kryetarit të përgjithshëm të Forumit Rinor Islam, Fevzi Musliut.Pjesa kulturore dhe artistike e manifestimit u mbulua nga recitalet “Vdis para se të vdesësh” dhe “Përndritje”, të interpretuara nga aktori Arsim Fazlija si dhe me ilahitë e kënduara nga vëllezërit Nuhiju. Po ashtu u interpretuan edhe ilahitë “Dritë mbi dritë” dhe “Plaka e shkretëtirës” shkruar nga Fatmir Muja enkas për këtë mbrëmje, interpretoi Egzon Ibrahimi.

Përveç kësaj, u ndanë edhe çmimi “Hafizi i ri i vitit” të cilin Forumi Rinor Islam e ndan tanimë pesë vite me radhë, dhe çmimi “Shkencëtari i ri i vitit” i cili sivjet u nda për të gjashtën herë në këtë manifestim. Çmimi  “Hafizi i ri i vitit” shkoi për hafizin katërmbëdhjetë vjeçar Sabit Gashi, nga Podujeva e Republikës së Kosovës, ndërkaq si shkencëtar i ri i  vitit u dekorua Mr. Driton Kuçi, nga qyteti i Shkupit.

Traditë e këtij manifestimi është edhe dekorimi i personaliteteve me arritje e kontribute të veçanta. Mersiha Smailoviq u dekorua për kontributin e dhënë në përmirësimin dhe aftësimin e gruas muslimane në shoqëri, po ashtu edhe për veprimtarinë e saj në fushën humanitare dhe atë të mirëqenies sociale. U dekorua edhe hafizja Hava Baki (post mortum) për kontributin e saj në edukimin fetar dhe arsimimin e gjeneratave të reja. FRI dekoroi edhe akademikun Izet Zeqiri për përkushtimin në fushën akademike dhe shkencore si dhe angazhimin e tij në drejtim të arritjes së mirëqenies së përgjithshme në shoqëri.

Personalitetet u dekoruan nga kryetari i përgjithshëm i Forumit Rinor Islam, Fevzi Musliu, ndërkaq Izet Zeqiri mbajti fjalim rasti në emër të të dekoruarve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button