Lëvizja BESA – Dollnen: Të sigurohet sa më shpejtë ngrohja e hapësirave nëpër shkolla! Komuna: mos politizoni

Edhe pse sezoni i ngrohjes fillon më 15.10.2015, në vitin shkollor 2015/16 nëpër shkollat e komunës së Dollnenit ende nuk janë siguruar kushtet elementare për ngrohjen e hapësirave ku duhet të zhvillohet procesi arsimor. Nga kjo gjendje e mjerueshme, në të cilën gjenden shkollat e kësaj komune, Lëvizja BESA nuk mund të qëndrojë indiferente, kjo nga shkaku se bëhet fjalë për grup-moshën më të ndjeshme në shoqëri – nxënësit.

Organet përkatëse janë ligjërisht të obliguara t’i sigurojnë këto kushte para se të fillojë viti shkollor, andaj Lëvizja BESA – Dollnen reagon ndaj politikës së dëmshme të udhëheqësive të shkollave, Komunës dhe Këshillit Komunal, por edhe ndaj indiferencës së plotë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe të vet ministrit të BDI-së, z. Abdilaqim Ademi.

Me këtë rast Lëvizja BESA – Dollnen kërkon nga organet kompetente që urgjentisht të sigurohen kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor, konform ligjit dhe detyrimit që kanë organet e lartpërmendura në sferën e arsimit.

Zgjidhja e këtij problemi nuk pret analiza e sqarime, por kërkon zgjidhje të menjëhershme.

Portalb ka kontaktuar me Komunën e Dollnenit, dhe sipas tyre kushtet për fillimin e ngrohjes janë gati, por ende nuk ka nisur ngrohja e hapësirave për shkak të kushteve klimatike.

“Ende nuk kemi filluar me ngrohjen. Drejtorët e shkollave vendosin se kur duhet të fillojë ngrohja e hapësirave shkollore. Lajmërohen persona të ndryshme për t’i dhënë konotacion tjetër, por gjithë shkollat mjetet i kanë gati dhe vet vendosin se kur do të fillojnë me ngrohje. Çka nëse koha është e nxehtë, nuk ka nevojë për ngrohje,” u shprehën për Portalb nga sektori për arsim pranë Komunës së Dollnenit./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button