Maqedonia po vetëshkatërrohet me largimin e qytetarëve të shkolluar!

Gjatë pesë viteve të fundit, Enti Shtetëror i Statistikave ka evidentuar se nga Maqedonia kanë ikur gjithsej 5.081 qytetar nga Maqedonia, prej të cilëve 300 janë shkencëtar. Ndërkaq sipas të dhënave të fundit të organizatës për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, tregojnë se për një vit Maqedoninë e lëshojnë së paku 20 mijë e 562 qytetarë, që është shifër rekorde për numrin e të shpërngulurve gjatë 15 viteve të fundit. Qytetarët kryesisht zgjedhin vendet perëndimore, ku për 15 vite kanë ikur mbi 600 mijë persona.

Qytetarët e Maqedonisë këtë e cilësojnë si humbje të madhe për shtetin dhe fajësojnë po të njëjtin për këtë dukuri e cila viteve të fundit ka filluar të shpeshtohet.

Sociologu Ali Pajaziti vlerëson se humbja e 300 njerëzve të dijes përbën një dëmtim fatal të ekonomisë dhe ardhmërisë së Maqedonisë.

“Humbja e 300 njerëzve të dijes përbën një dëmtim fatal të ekonomisë dhe ardhmërisë së Maqedonisë. Shtetet që lejojnë emigrimin e trurit më cilësor të tyre s’mund ta plotësojnë në asnjë mënyrë këtë zbrazëti, as me ekspertë të përkohshëm e as në saje të personelit teknik.  Shtetet që pranojnë mërgimtarë bëjnë kursime të mëdha sepse nuk shpenzojnë për formimin e kuadrove të ardhura nga jashtë dhe së pari i pranojnë përkohësisht kokat e kultivuara e më pas duke parë përfitimet u japin nënshtetësi atyre dhe me këtë përfitojnë burime cilësore për sektorët e ndryshëm shoqërorë. Këto shtete e përdorin trurin e huaj më tepër në sferën e hulumtimeve dhe të inovacioneve. Vendet që e humbin trurin fundosen edhe më thellë dhe s’mund të garojnë me vendet e përparuara”, tha për Portalb, Pajaziti.

Ai shtoi se ndër shkaqet që nxisin largimin e trurit janë këto: çekuilibri mes burimeve njerëzore të arsimuara dhe kërkesës për to, dallimi i madh në pagat që jepen për të njëjtën punë, pakënaqësia shpirtërore, të qenët e vendeve të zhvilluara qendra tërheqëse në hulumtime, shkencë, teknologji, avancime dhe zhvillim, paqëndrueshmëria politike dhe ekonomike, të huajësimi kulturor i kuadrove që nuk janë edukuar sipas parimeve të arsimit kombëtar, arsimimi në gjuhë të huaj, mjetet e komunikimit masiv që nxisin pakënaqësinë nga kushtet vendore etj.

“Duhet që të bashkëpunojë ekonomia me arsimin, shëndetësinë, kulturën etj., që në mënyrë më objektive, profesionale të realizohet transferta e studentëve nga katedrat universitare nëpër vendet e punës. Duhet të në vendet e caktuara të punës të punësohen kampionët nga mesi i studentëve, ata që investojnë në vetëndërtimin e tyre intelektual-profesionale e jo militantët partiakë. Duhet të rriten pagat e kuadrove cilësore, të përmirësohen kushtet e punës, duhet të rishikohen investimet në sferën e arsimit, të depolitizohet intelektualizmi, administrata, sektori publik”, shtoi Pajaziti.

Lulzim Haziri nga Asociacioni për Iniciativë Demokratike thotë se largimi i popullatës së shkolluar Maqedonisë do i kushtojë shumë shtrenjtë.

“Dukuria e largimit dhe fjala kurbet nuk është e re në Maqedoni e sidomos për shqiptarët. Shqetësues është fakti që largimi i personave të shkolluar po rritet dhe besoj që kjo është rezultat i politizimit të skajshëm të shtetit, ku të rinjtë nuk shohin perspektivë sepse më shumë vlerësohen kriteret politike sesa ato të karrierës. Në Maqedoni ka shtanguar papunësia, punësohen vetëm ushtarët partiak dhe prandaj kemi një administratë me shërbime të palakueshme. Maqedonisë kjo do t’i kushtojë shtrenjtë, sepse vërehet mundesa e zhvillimit ekonomik, kulturor, sportiv, muzikor etj, dhe kjo tregon se Maqedonia po ngele vetëm me kuadro partiake”, tha për Portalb, Haziri.

Dona Kosturanova, nga Forumi rinor arsimor thotë se Maqedonia duhet të bëjë analizë lidhur me këtë dukuri dhe të parandaloj atë sepse është në dëm të vetë shtetit.

“Maqedonia ka nevojë për një qasje strategjike drejt zvogëlimit të numrit të të rinjve që largohen nga vendi, si dhe të analizojë motivet e largimit dhe të ofrojë zgjidhje të këtij problemi. Në mungesë të analizave të problemit mund të numërojmë disa faktorë të ikjes së qytetarëve e sidomos të rinjve nga vendi, dhe ato janë : niveli i ulët i kualitetit të shkollimit, niveli i ulët i standardit të jetesës, rritja e papunësisë, varësia financiare nga prindërit, mundësi të kufizuara kulturore dhe përjashtimi social i të rinjve”, tha për Portalb, Kosturanova.

Ajo shtoi se rinia po largohet duke kërkuar jetë më të mirë dhe më cilësore.

“Shumë nga të rinjtë largohen në kërkim të shkollimit më të mirë, apo punësimit në vendet e huaja dhe pastaj ngelin atje për shkak të jetës aktive dhe mundësive që kanë ata në vendet me standarde të larta.

Tek ne të rinjtë aktiv që tregojnë atë që mendojnë ballafaqohen me probleme të shumta, me etiketime dhe prandaj shumica e të rinjve vetë censurohen me mendimet dhe qëndrimet e tyre”, shtoi Kosturanova.

Numri i madh është edhe i studentëve të cilët përfundojnë studimet në vendet e huaja dhe më pas dëshpërohen ne vendin e tyre dhe vendosin sërish të kthehen në perëndim.

“Kam përfunduar universitetin në Shkup dhe më pas mu dha mundësia dhe fitova bursë në një prëj universiteteve të Amsterdamit. Këtu përfundova studimet e ciklit të dytë dhe më pas u ktheva sërish në Shkup dhe fillova të kërkoj punë, ishte e kotë, nuk më pëlqente ajo që më ofronte vendi im dhe u detyrova që sërish të marr vendim dhe të largohem nga Maqedonia për të mirë. Mendoj se nuk ka perspektiv, nuk i jepet mundësia e njëjtë secilit që të shkëlqejë në fushën e vet. Gjithçka është politizuar edhe po të kesh disa shkallë shkollimi prapë nuk gjen dot punë pa pasur përkrahje politike apo pa qenë anëtare e ndonjë partie politike”, tha Arta Selmani, qytetare që pas shkollimit përfundoi që Amsterdam./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button