ITSHKSHM mban sot konferencë për Shkupin ndërmjet dy luftërave botërore

Për herë të parë në Shkup, sot dhe nesër do të mbahet konferencë shkencore historike, e cila do t’i kushtohet jetës shoqërore të shqiptarëve në Shkup dhe rrethinë ndërmjet dy luftërave botërore.

Konferenca organizohet nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë.

Në këtë konferencë shkencore, me punimet e tyre do të marrin pjesë mbi 30 studiues të njohur nga shumë qendra shkencore të vendit dhe jashtë, të cilët do të sjellin fakte dhe dëshmi të reja për historinë e shqiptarëve të Shkupit dhe rrethinës në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.

Fjalë përshëndetëse do të kenë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, Dr.Skender Asani, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, akademik Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë në Prishtinë, Prof.dr.Sabit Syla, dhe drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prof.dr. Hysen Matoshi.

Në kuadër të këtij aktiviteti, do të prezantohet edhe projekti: “Veshja popullore në rajonin e Karshiakës” nga Dr. Bukurije Mustafa, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.

Ndryshe, brenda këtij viti, ITSHKSH organizoi edhe konferencën ndërkombëtare “Shqiptarët dhe sllavët” me Edkart Institutin nga Berlini, konferencën për Isa Boletinin nën organizimin e tre instituteve shqiptare Tiranë-Prishtinë-Shkup, me çka arriti që shkencërisht të etablohet si në rrafshin kombëtar, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Back to top button