Lirimi nga varësia e “miqve” ndërkombëtar, çlirim nga përbindëshat tonë politik!

“EKSPERIMENTI NEW BUGAJSKI HOUR”

Lajmi i parë i javës së shkuar në mediat tona ishte ndarja e çmimit:  “O sa mirë me qenë shqiptar”, atdhetarit Ismail Morina (Ballisti), me motivacionin “ngritja” e dronit me flamurin Autochtonus në stadiumin e Beogradit gjatë përballjes Serbi – Shqipëri,…për ta bërë edhe më të “madhe” këtë ngjarje, Ballistit çmimin ia ndau Rifat Jashari, vëllau i komandantit legjendar, Adem Jashari.

Lajmi i dytë (i pakëndshëm) ishte arrestimi i “heroit” kombëtar në prag të ndeshjes Shqipëri-Serbi në Elbasan Arena, me ç’rast në makinën e tij u gjetën “armë pa leje dhe bileta të falsifikuara” !

Përderisa, fitorja e tri pikëve në tavolinë nga ndeshja në Beograd, është e lidhur me emrin e “Ballistit”, humbja e tri pikëve në fushën e gjelbër në Elbasan Arena mbanë etiketën e klasës politike shqiptare.

Në mes lajmit të parë dhe të dytë, në televizionin publik (politik)-RTK, u bë promovimi i emisionit të ri politik me titull: “NEW BUGAJSKI HOUR”, me moderator analistin dhe ekspertin amerikan për çështjet e Ballkanit, Janosh Bugajski!

Ky ishte sihariq i papritur, jo për faktin pse mysafir i parë i Bugajskit ishte njeriu më kontrovers në politikën kosovare, por që me këtë u vërtetua katërçipërisht  varësia e tepruar e institucioneve tona publike nga ndërkombëtarët.

Vënia shpresave çdo herë tek “miqtë” ndërkombëtar, dhe lënia e “fatit” çdo herë në duart e ndërkombëtarëve të zgjidhjes së problemeve të brendshme politike ka quar të krijimi i një kaste politike servile ndaj ndërkombëtarëve dhe arrogante ndaj qytetarëve.

Ashtu sikurse vendimet politike, limitet buxhetore dhe “projektet” zhvillimore të vendit tonë i caktojnë “miqtë” ndërkombëtar,…ndërsa qeveria e jonë bënë vetëm më implementimin e tyre.

Me limitet buxhetore që ka sot Kosova, përkundër resurseve të mëdha natyrore, kush e di edhe për sa kohë nuk do të jetë e zonja të ketë industri të zhvilluar dhe prodhime për eksport jashtë vendit.

Falë ndihmës ndërkombëtare, serbët (pakicë) e Kosovës tashmë e kanë shtetin e Serbisë në brendi të Kosovës, kurse neve shqiptarëve shumicë në vend na ka mbetur ta “gëzojnë” statusin e shtetit multietnik!

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, Kosova do të vazhdoj të jetë një treg i lirë i Serbisë, një territor evropian i pa pranuar nga instancat më të larta multilaterale ndërkombëtare siç janë BE dhe OKB.

Edhe sikur të ndodhë nesër pranimi i një identiteti artificial nga organizatat e sipërpërmendura, do të lë pasoja afatgjata për të ardhmen e popullit shqiptar të Kosovës.

Identiteti artificial i shtetit të Kosovës, i një shoqërie multietnike, më simbole (himn e flamur) krejtësisht antikombëtare, do të bëjë që gjeneratat e ardhshme të identifikohen më diçka që nuk është e tyre.

Që kjo të mos i ndodhë shtetit të Kosovës, do të ishte mirë që sa më parë të bëhet dekompozimi i multietnicitetit në shtetin etnik 90 % me popullatë shqiptare, në mënyrë që gjeneratave të ardhshme të mos ju mbetët nëpër këmbë “gogoli” i multietnicitetit, si shkak i konflikteve të reja ndëretnike.

Liderët politik të së ardhmes së afërt duhet ta kenë prioritet në agjendat e tyre politike ndryshimin e këtij realiteti të mbrapsht dhe antikombëtar të shtetit të Kosovës.

Në të kundërtën, nëse kjo nuk ndodhë brenda dhjetëvjetëshit të parë, atëherë jo vetëm së do të jetë më e vështirë,…do të vihen në lajthitje të madhe pasardhësit tonë më identitetin e tyre shtetëror dhe kombëtar.

Edhe pse të gjithë e kemi gojën plot ndryshime, megjithatë nuk po e gjejmë dot rrugën e ndryshimeve !

Zgjedhjet e fundit parlamentare ishin rasti i fundit për kthimin e shpresave të qytetarëve për ndryshime pozitive përmes votës së lirë. Lidhja e koalicionit të madhe pas zgjedhor PDK-LDK, i ardhur si rezultat presionit ndërkombëtar në njërën anë, dhe i interesave meskine të një grupi të vogël njerëzish pa moral, pa ndjenja kombëtare dhe njerëzore në anën tjetër, Kosovës po i kushton me humbje territori dhe sovraniteti shtetëror.

Varësia e skajshme e politikës kosovare ndaj ndërkombëtarëve dhe heshtja e popullatës garanton stabilitetin politik që kërkojnë “miqtë” ndërkombëtarë, përderisa mungesa e zhvillimit ekonomik të vendit ka prodhuar varfërinë e dhe mjerimin social në vend.

Vetëm një popullatë shqiptare e varfër, e heshtur më një klasë politike nënshtruese ua garanton të huajve jetëgjatësinë e tyre në Kosovë!

Andaj më shumë së pushtetarëve aktual, ju intereson ndërkombëtarëve që të mos ketë protesta dhe demonstrata që qojnë në prishjen e “stabilitetit” politik.

Lënia e fatit të vendit në duart e liderëve të korruptuar politik, është më tepër së heqje dorë nga shtetësia dhe sovraniteti politik.

Nëse dëshirojmë ndryshime, duhet t’u bëhemi barrë në qafë pushtetarëve me kërkesa të vazhdueshme për vende të reja pune, ulje taksash, sigurime shëndetësore arsim cilësor,…organizimi i protestave gjithandej vendit për rritje pagash, ulje çmimesh të konsumit të përditshëm, furnizim me energji elektrike dhe ngrohje në këto ditë të acarta të dimrit,…do ta bënin Qeverinë të gjunjëzohej shpejtë para kërkesave popullore.

Sa më parë të lirohemi nga varësia e “miqve” ndërkombëtar, aq më shpejtë do ta çlirojmë vendin nga përbindëshat politik, aq më e afërt do të jetë dita e ndryshimeve pozitive.

Eksperimenti “NEW BUGAJSKI HOUR” vazhdon….!

Lajme të ngjashme

Back to top button