Kelani: Nga protestat e mbrëmshme 15 policë të lënduar, arrestohen 9 persona

 

Në kuadër të këtij hetimi, prokuroi kishte urdhëruar shoqërimin e deputetëve të dyshuar në stacioni policor për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin, në mesin e tyre edhe deputetit Albin Kurti mirëpo, sipas Kelanit, të njëjtit kanë refuzuar t’i përgjigjen ftesës.

PRISHTINË (AA) – 15 zyrtarë policorë dhe një qytetar të lënduar, 9 persona të arrestuar, 8 vetura të djegura dhe dëme të konsiderueshme materiale në ndërtesën e Stacionit të Policisë Qendra, janë bilanci i protestave të mbrëmshme në Prishtinë. Protestat u organizuarn nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje për të kundërshtuar arrestimin e Albin Kurtit nga Policia e Kosovës, me urdhrin e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka deklaruar për Anadolu Agency  (AA), majori Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës.

Duke e rrëfyer kronologjinë e ngjarjeve të protestave të mbrëmshme të aktivistëve të Vetëvendosjes, të cilat u përshkallëzuan në protesta të dhunshme dhe me pasoja në të lënduar dhe shkatërrim të pronës publike dhe private, majori Kelani thotë se, pas incidentit në Kuvendin e Kosovës dhe hedhjes së gazit lotsjellës në sallë, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka filluar hetimet kundër deputetëve të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale të, shkaktimi të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorimit të armës, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij hetimi, prokuroi kishte urdhëruar shoqërimin e deputetëve të dyshuar në stacioni policor për të dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin, në mesin e tyre edhe deputetit Albin Kurti mirëpo, sipas Kelanit, të njëjtit kanë refuzuar t’i përgjigjen ftesës.

Ai tregon se Kurti i cili ishte ftuar nga Policia e Kosovës për intervistë, një ditë më pas kishte lëshuar Kosovën, për të kryer vizitat e tij jashtë vendit, ku Policia e Kosovës ka qenë e detyruar të pres momentin kur do ta takoj atë dhe të njëjtin ta ndaloj dhe shoqëroj në stacionin policor.

“Kështu që, mbrëmë, është ndaluar në hyrje të Prishtinës, më saktësisht tek rrethi i Çagllavisë dhe pas ndalimit i është kumtuar lajmi nga zyrtari policor se  duhet të shoqërohet në stacionin policor, me urdhër të prokurorit kompetent. Kështu edhe ka ndodhur . I njëjti është sjellë në stacionin policor për t’u intervistuar” tha Kelani për AA.

Ai tregoi së në ndërkohë, deri sa Kurti ka qenë në stacionin policor duke u intervistuar, një grup i protestuesve janë mbledhur para Stacionit të Policisë Qendra, për të shprehur pakënaqësitë e tyre që, pas pak kohe, eskaluan me shprehje të dhunës, përmes hedhjes së gjësendeve të ndryshme, gurëve masiv dhe copëzave të betonit të hedhura drejtë policisë. Thirrjeve të vazhdueshme të PK-së për shpërndarje në mënyrë të qetë, protestuesit nuk u janë përgjigjur.

“Pas thirrjeve të vazhdueshme që protestuesit të shpërndahen në mënyrë të qetë dhe të protestojnë në mënyrë të qetë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ne jemi detyruar të përdorim mjetet tona të ligjshme për t’i larguar, për t’i ruajtur jetët e zyrtarëve policor të cilët kanë qenë në rrezik dhe njëkohësisht, për ta ruajtur pronën publike dhe atë private” tha Kelani.

Si rezultat i dhunës gjatë protestave të mbrëmshme, pati të lënduar dhe dëme të konsiderueshme materiale.

“Protestuesit duke e shprehur dhunën e tyre kanë djegur edhe dy vetura zyrtare në afërsi të ish objektit të Prokurorisë, si dhe kanë dëmtuar gjashtë deri në tetë vetura tjera. Si pasojë e gjithë kësaj, 15 zyrtarë policor kanë pësuar lëndime dhe një qytetar. Policia ka arritur t’i arrestoj 9 persona të dyshuar, të cilët me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje” tha Kelani.

Në fund, ai deklaroi se Policia e Kosovës ka ndërmarr të gjitha masat e parapara me ligj, për të planifikuar ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ruajtjen e pronës private dhe publike, si dhe mbizotërimin e qetësisë.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje përmes një deklarate publike, ka thënë se Policia e Kosovës po i mbanë të arrestuar aktivistët e saj, në mesin e tyre edhe Yll Hoxhën dhe Uran Hasanin. Vazhdimin e arrestimit të tyre, Vetëvendosja e konsideron si tentim për ta tensionuar situatën dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Ndërkohë, kundërshtimin për arrestimin e Albin Kurtit e ka publikuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila, njëkohësisht, ka kërkuar dorëheqjet e ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hysenit dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit

“Marrja në polici e Albin Kurtit, është në kundërshtim me parimet e demokracisë, si dhe në kundërshtim me vetë Kushtetutën, nenit 75 të saj, ku deputetët nuk mund të ndalohen, apo të ndiqen e paraburgosen, për shkak të veprimtarisë së tyre në Kuvend” thuhet në reagimin e AAK-së e cila, arrestimin e Kurtit e konsideron si veprim të kalkuluar të koalicionit qeveritar, me qëllim të provokimit të opozitës dhe eskalimit të situatës.

Lajme të ngjashme

Back to top button