Qamili këmbëngul , shqiptarët nuk kanë humbur nga sistematizimi

Pavarësisht pakënaqësive të shumta të shqiptarëve rreth sistematizimit të ri në Ministrinë e Brendshme, zëvendësministri Zemri Qamili këmbëngul se avancime ka pasur edhe te kuadrot shqiptare. Madje sipas tij, 40% e të punësuarve shqiptarë janë ngritur në detyrë për një ose dy shkallë. Ndërkaq , në shkëmbim të emërimit të Komandantëve maqedonas në stacionet policore në Bellanoc dhe Goshincë, sipas tij, shqiptarët kanë marrë drejtimin e stacionit policor në Pelincë.

“Është e saktë, në këto dy stacione kemi pasur dy komandant shqiptarë… Bellanoc dhe Goshincë, këto dy stacione në bazë të sistematizimit të ri në MPB shkrihen në një stacion policor.. komandanti do të jetë maqedonas, por në Pelincë komandanti i stacionit policor që ka qenë maqedonas zëvendësohet me shqiptar. Në qytetet e tjera në Tetovë, Kërçovë, Strugë, në Manastir ka pasur ngritje dhe kemi marr vende të reja që nuk kanë qenë të udhëhequra nga shqiptarët. Nëse ka pasur ndonjë lëshim në Kodrën e Diellit, ndonjë udhëheqës turni, me kalimin e kohës brenda këtyre ditëve do të përmirësohet”, tha për Alsat-M Zemri Qamili, zëvendësministër i brendshëm.

Nga ana tjetër, përfaqësimi i ulët i shqiptarëve në konkursin e fundit për policë, respektivisht pranimi i vetëm 76 policëve shqiptarë nga gjithsej 600, sipas Qamilit vjen si pasojë e paaftësisë së shqiptarëve për të kaluar testimin psikologjik, i cili ofrohet vetëm në gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Back to top button