LR-PDSH: Me keqardhje konstatojmë se diabetikët do të përballen me mungesë të insulinave

Ministria e shëndetësisë me hapjen e tenderit të ri për furnizim me insulinë në Nëntor 2014, njëherit filloi të zbatojë reforma në këtë sferë që sipas LR-PDSH-së, kanë vetëm një qëllim dhe ajo është mos pasja e mjeteve buxhetore për shëndetësi, duke shtuar se, për këtë gjendje në 6 muajt e fundit disa herë është alarmuar nëpërmjet të shoqatave të të sëmurëve me diabet, si dhe nëpërmjet të mediumeve e shtypit dhe elektronike.

“Kursimi i mjeteve në këtë rast është i pajustifikueshëm. Asnjë shtet në botë me vetëdije nuk planifikon buxhet të njëjtë ose më të vogël për sigurimin e insulinave sepse numri i të sëmurëve të varur nga insulinat ka rritje natyrore të prevalencës. Ministria e shëndetësisë me vetëdije ka planifikuar buxhet më të vogël për tenderin e insulinave në periudhën 2014-2016 për 8 % në krahasim me tenderin e kaluar në periudhën 2012-2014. Buxheti i zvogëluar për tenderin e insulinave është e lidhur me zvogëlimin e numrit të penave për insulinë, diku rreth 145.000 pena më pak”, thuhet në deklaratën e LR-PDSH-së.

Ministria e Shëndetësisë formon Komision Nacional për diabet. Nga LR-PDSH, thonë që mbikëqyrja dhe kufizimi i punës së mjekëve çdoherë ka ekzistuar dhe do të ekzistojë si botë ashtu edhe në Maqedoni, por rigorozisht e definuar me rregulla adekuate se cili specialist mund të përshkruaj barna të caktuara për sëmundje adekuate.

Rritja e numrit të obligueshëm të vizitave te mjeku nga 1 deri në 3 herë në vjet, nuk do të thotë se do të përmirësohet gjendja e shëndetësore e të sëmurit me diabet, vlerësojnë nga LR-PDSH. Numrin e vizitave te mjeku e cakton specialist sipas progresionit të diabetit. Numri i vizitave të panevojshme te një grup i caktuar i pacientëve vetëm i rrit harxhimet në shëndetësi.

“Rritja e numrit të trakave falas për caktimin e glikemisë te diabetikët nga 50 në 300 në vit, po ashtu është për lëvdatë, por ndikon në gjendjen shëndetësore të diabetikëve, sepse ato nuk munden ta marrin terapinë bazë më insulinë. Është i pajustifikueshëm qëndrimi i Ministrisë se diabetikët përdorin insulinë të shtrenjtë, ndërsa njëkohësisht kanë rezultate të këqija me glikeminë, duhet tu ndërrohet terapia me insulinë të gjeneratave të vjetra. Në asnjë shtet të botës nuk ekziston praktikë e këtillë as rregullore të këtilla. Në bazë të cilave vendime është sjellë kjo rregullore? Si mundet një sëmurë me diabet, i cili mezi ka arritur ta kontrollojë diabetin me insulinë të gjeneratës së re, e të vazhdojë terapinë me insulinë të gjeneratave të vjetra? A ekzistojnë punime shkencore në këtë drejtim?”, thuhet në deklaratën e LR-PDSH-së.

Ata shtojnë që sado që kjo tingëllon e arsyeshme, përsëri në praktik në 6 muajt e kaluar, me ndërrimin e insulino-terapisë te diabetikët zhvillohet me sistem lotarie! Domethënë për shkak të zvogëlimit të sasive të insulinës nëpër barnatore, u zëvendësohet vetëm atyre diabetikëve të cilët insulinën e marrin në fund të muajit.

“Ne si Departament i Shëndetësisë pranë LR-PDSH-së me keqardhje konstatojmë se diabetikët do të përballen me mungesë të insulinave, ose një grup i madh i diabetikëve që përdorin këtë terapi nuk do të munden të sigurojnë, ndërsa diabetikët e sapo diagnostifikuar nuk do të munden të fillojnë të përdorin insulinën për shkak të këtyre reformave jo-profesionale të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në deklaratën e LR-PDSH-së.

Lajme të ngjashme

Back to top button