SHBA: Senatorja Feinstein kërkon që të mos përgjohen aleatët
Kryesuesja e Komitetit të Inteligjencës së Senatit të Shteteve të Bashkuara, Dianne Feinstein, tha se e “kundërshton totalisht” mbledhjen e inteligjencës ndaj aleatëve amerikanë nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare.
Kjo deklaratë e saj me shkrim mbrëmë vonë, u bë pas pas raporteve se kjo agjenci e ka monitoruar telefonin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe i ka përgjuar komunikimet e liderëve të tjerë të jashtëm.
Senatorja Feinstein i ka mbrojtur disa programe të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), që janë zbuluar në media nga ish-kontraktori Edward Snowden, duke argumentuar se ato luajnë rol të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit global.
Por, senatorja Feinstein, demokrate nga Kalifornia, tha se vëzhgimet e liderëve të jashtëm janë diçka tjetër.
Ajo ka theksuar se Shtëpia e Bardhë i ka thënë asaj se mbledhja e informacioneve nga aleatët nuk do të vazhdoj.
Megjithatë, senatorja ka paralajmëruar se një panel i inteligjencës i Senatit do ta filloj një “shqyrtim madhor” lidhur me të gjitha programet e mbledhjes së inteligjencës.