Merr rrogë e rri në shtëpi, 1300 administratorë presin sistemimin

Merr rrogë e rri në shtëpi. Ky është fati i mbi 1300 shqiptarëve në Maqedoni, të cilët janë pranuar në Sekretariatin për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, por nuk po arrijnë të sistemohen nëpër institucione. Nga mosmarrëveshjet mes institucioneve pësojnë qytetarët, të cilët edhe pas një viti nuk sistemohen në vendin e punës. 

“Dy vite jam e punësuar dhe ende nuk më kanë thirrë për në punë”, tha 30 vjeçarja F.I. nga Reçica.

“Me të vërtetë dua të punoj, të paraqitem në vendin e punës, por deri tash nuk na kan ftuar, dhe nuk kanë shpjegim”, tha E.Z., një tjetër e punësuar.

Të kontaktuar nga Portalb, nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk deshën të përgjigjen se pse ngec procesi i sistemimit. Por kohë më parë vet zëvendës kryeministri Musa Xhaferi kishte deklaruar se sistemimi po shkon ngadalë, sidomos në institucionet të cilat udhëhiqen nga kuadro maqedonas. Madje, deputeti opozitar Jani Makraduli thotë se pikërisht çështja e sistemimit mban peng politikat e BDI-së, dhe e detyron atë që të jetë në vijë të njëjtë me qëndrimet e VMRO-së për çështje të ndryshme politike.

“Deklaratat e përfaqësuesve të BDI-së në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian dhe me rastin e Kezharovskit janë të njëjta. Qëndrimet përputhen, për shkak se BDI-ja duhet të heshtë për shkak të 1500 të punësuarve në administratë, që rrinë në shtëpi dhe marrin rroga” – tha Makraduli.

Përveç Musa Xhaferit, edhe funksionarët e tjerë të BDI-së e pranojnë ngecjen e sistemimit. Deputeti i partisë më të madhe shqiptare Rexhail Ismaili në një deklaratë në Parlament në diskutim për buxhetin, tha se bëhet fjalë për 1300 nëpunës shtetërorë që presin të fillojnë punën nëpër institucione.

“Për sa i përket marrjes së mjeteve nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, të informoj se atje ka një numër mbi 1300 të punësuar që po shpërndahen nëpër institucionet shtetërore, dhe në bazë të një analize që kemi bërë, pas kësaj, shumë institucione do të plotësojnë kuotën prej 25 % që parashikohet për shqiptarët në Maqedoni” – pati deklaruar Ismaili.

Të premten ka përfunduar një tjetër konkurs për punësim në administratë, me të cilin do të punësohen 141 nëpunës të rinj. Por, nuk dihet se kur këta administratorë, bashkë me 1300 kolegët e tyre, do të fillojnë të paraqiten nëpër vendet e tyre të punës./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button