Ristani: Droga ka pushtuar Shqipërinë

Partia Demokratike ka përsëritur edhe njëherë denoncimin ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit. Në një deklaratë për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PD-së Arben Ristani është shprehur se edhe shtypi i huaj “është i tronditur nga akuzat ndaj Tahirit, por ai vazhdon të mbajë detyrën”.

“Saimir Tahiri vazhdon të ndajë makinën e tij private me Habilajt që sipas oficerit të lartë të anti-drogës Zagani, kryejnë trafikun më të madh të drogës në zonën e Vlorës. Që trafiku të jetë edhe më i sigurt, Tahiri ka vënë në dispozicion të bandës edhe shefin e kufirit të Dhërmiut. Fakte dhe prova tronditëse kemi publikuar në mënyrë të përsëritur. Makina private e ministrit përdoret nga banda kur ata kanë mall për të kaluar, e më pas përdoret nga Tahiri kur shkon me pushime. Kjo e vërtetuar disa herë nga sistemi TIMS”, tha Ristani.

Sipas tij, antimafia italiane është e shqetësuar për volumin e madh të narkotikëve që shkon andej nga Shqipëria.

“Shtypi Italian i tronditur nga akuzat që rëndojnë ndaj ministrit të brendshëm shqiptar. E megjithatë, për Saimir Tahirin asgjë nuk ka ndodhur. Ai vazhdon prej 36 ditësh të qëndrojë në detyrë, edhe pse është provuar publikisht se ka lidhje me bandat e drogës, edhe pse është ministri i brendshëm më i diskredituar në rajon e më gjerë. Edhe për Edi Ramën asgjë nuk ka ndodhur, ai vazhdon të jetë krenar për bëmat e Saimirit të tij”, theksoi  Ristani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së tha, se Tahiri duhet të largohet një orë e më parë, inkriminimi i tij është një barrë për vendin për qytetarët, për rendin dhe sigurinë.

Lajme të ngjashme

Back to top button