Lëvizja Besa dënon ashpër propozim-ligjin për ndalimin e publikimit të “bombave”

Lëvizja Besa dënon ashpër propozim-ligjin të dyshes siameze politike VMRO-BDI që me ligj të ndalohet publikimi i “bombave”.

Në propozim-ligjin në fjalë është propozuar që të largohen nga hapësirat mediatike të gjitha “bombat” që deri tash janë publikuar, ndërsa nëse dikush nuk e respekton këtë normë, dënimi për këtë vepër të jetë katër vite burgim.

“Pas kësaj askush nuk ka më pikë dyshimi se këta njerëz e kanë humbur kontaktin me realitetin, por që “çmenduria” e tyre mund të shkojë aq larg, askush nuk e ka pritur. Kjo tendencë për të ndaluar gjithçka që është në dëm të tyre dhe për të kontrolluar gjithçka, lirisht mund të krahasohet me diktatorin verikorean Kim Jong, madje për shumëçka ai mund t’u marrë lakmi qeveritarëve tanë”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa.

Ata pyesin publikisht, “patriotët” dhe “micsokolat” e BDI-së, që u dilnin me gjoks para “bombave” të Zaevit: Në ç’kohë ishit të sinqertë, kur kërkonit që Zaevi të publikojë gjithçka apo tash kur kërkoni që me ligj të ndalohet publikimi i “bombave”? Apo mos ndoshta ju jeni të pastër si loti, por po i bëni shërbim Nikolla Gruevskit? Cila është e vërteta?

Nga aty thonë se Lëvizja BESA do të bëjë gjithçka që ka në mundësitë e veta, që ta ndalojë miratimin e këtij ligji, ndërsa nëse eventualisht miratohet, në momentin e parë që BESA do jetë pjesë e qeverisë do të abrogojë këtë ligj.

“Në kuadër të kësaj problematike, ne do të propozojmë ndryshime thelbësore në ligjin për procedurë penale, ku provat audio dhe video, të cilat edhe nëse janë siguruar pa leje të prokurorit, gjithashtu duhet të merren si prova valide në Gjykatë nëse me ato përdëftohet qartë se është bërë krim, keqpërdorim ose është shkelur ndonjë ligj pozitiv i vendit”, përfundon reagimi./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button