Dyshimet pa verifikime mbesin supozime

[Recension: “Tensione në Kumanovë, Ahmeti bëhet gati të shkojë, banorët nuk e duan!?”]

Teksti që po recensohet përmban akuza dhe supozime të pabaza që nga titulli e deri tek fjalia e fundit. Autori edhe pse ka tentuar të bëjë lajm ose artikull gazetaresk, nga ky tekst ka arritur vetëm që të nxisë dyshime dhe habi për atë se kur ka vendosur lideri i BDI-së të vizitojë Kumanovën, kur qenkan revoltuar banorët dhe ku qëndrojnë dëshmitë për të gjithë këto që i pohon autori. Jo vetëm se lajmi nuk ka asnjë fakt mbështetës të asaj që e pohon, por madje është transmetim i tekstit të një gazete e cila gjithashtu nuk ka verifikuar informatën, nuk ka ofruar asnjë fakt të dokumentuar për atë që flet.

Tensione në Kumanovë  Ahmeti bëhet gati të shkojë  banorët nuk e duan    Video    Iliria News AgencyLinku deri te artikulli origjinal: Tensione në Kumanovë, Ahmeti bëhet gati të shkojë, banorët nuk e duan!? (Video)

Data dhe koha e publikimit: 29/09/2015

Data e recensionit: 01/10/2015

Recensues: Ferikan Iljazi

Lajmi fillon fuqishëmTensionet rikthehen në Kumanovë, kurse shkak kësaj radhe është qëllimi i kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti të vizitojë këtë qytet, thonë për “Lajm”, banorë shqiptarë të Kumanovës” por sapo vazhdon leximi më tej, shihet se ky tekst është koment i bazuar në thashetheme e jo në ndonjë paralajmërim zyrtarë të partisë apo të banorëve të Kumanovës.

 “Pas konfliktit të Kumanovës që ndodhi më 9 dhe 10 maj, si dhe pas incidentit në degën partiake, kur u vra pretendenti kryesor për kryetar dege Xhemail Rexhepi-Komandant Shqiponja, nuk ekziston disponim për pritjen e Ahmetit, as tek shqiptarët e Kumanovës, por as te simpatizantët e BDI-së”,

Kjo fjali jep një fotografi të përgjithshme, përgjithëson mendimin e të gjithë qytetarëve të Kumanovës, kurse nuk dihet nëse këtë mendim e ndajnë shumica e banorëve të cilët madje autori i tekstit nuk i ka kontaktuar fare. As autori fillestar i tekstit, e as ai që e ka transmetuar lajmin, nuk kanë specifikuar se bëhet fjalë për “disa banorë” apo “disa përkrahës të BDI-së” në mënyrë që mos të lihet hapësirë për manipulime me zërin e një popullate të tërë.

Ky lajm jo vetëm se nuk ofron asnjë element informativ, por mund të thuhet se hyn në suazat e tendencës për manipulim.

“Lajm” merr vesh se Ahmeti është i vendosur të shkojë në Kumanovë dhe se për të realizuar këtë qëllim ka filluar të fusë përçarje në degën partiake në këtë qytet, duke joshur njerëz në lloj-lloj mënyra”.

 Ky lloj i fjalive nuk guxon të qëndrojë në tekstet e një gazetari profesionist, pasi që duket sikur janë shfaqur bindje personale të autorit e jo fakte që duhet ti mësojë opinioni, gjë që është në kundërshtim me Kodeksin e Gazetarëve të Maqedonisë ku neni 1 thotë:

“Gazetari duhet të botojë informata të vërteta e të konfirmuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale ose të falsifikojë dokumente. Në qoftë se informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet cekur dhe botuar. Saktësia e informatës duhet vërtetuar aq sa është e mundur“

Që të jetë teksti i besueshëm, autori së paku është dashur të kontaktojë partinë dhe  qytetarët në fjalë dhe të konfirmojë atë që e ka “kuptuar” apo përcjellë  nga një medium tjetër, e jo ta marrë si produkt të gatshëm pa ndjerë nevojën e përgjegjësisë dhe të së vërtetës që ua ka borxh lexuesve.

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button