Talat Xhaferi: BDI për 6 njësi zgjedhore, kundër regjistrimit aktiv të votuesve (VIDEO)

Shefi i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për integrim, Talat Xhaferi në emisionin “10 Minuta” në TV 21, u shpreh se sistemi me 6 njësi zgjedhore është në interes të shqiptarëve, ndërsa çështjen e partive të reja në skenën politike e vlerëson si fragmentarizmin të votës shqiptare në Maqedoni. Ai po ashtu u shpreh kundër propozimit regjistrim aktiv që duhet ta bëjnë vetë votuesit, sepse, sipas tij, kjo është obligim i shtetit.

“Sistemi me 6 njësi zgjedhore është në interes të shqiptarëve, edhe pse ideale do të ishte ndoshta me 3 njësi zgjedhore, në bazë të analizave që janë bërë. Mendojmë që duhet të mbetet në funksion sistemi proporcional i zgjedhjeve në 6 njësi zgjedhore me mundësi që diaspora të ketë mundësinë të votojë. Ne mendojmë që do të ishte më mirë që diaspora të votojë për njësitë zgjedhore në vend, por çështja e marrëveshjes deri në fund është një mundësi që në aspekt kategorik nuk jemi kundër asaj që diaspora të mund të shfrytëzojë të drejtën për të votuar dhe për të qenë i zgjedhur, por modaliteti i zbatimit të asaj të drejte të diasporës është çështje që mund të diskutohet. Rrënjësore për neve është mënyra e përpilimit të listës zgjedhore”, theksoi Xhaferi, për të shtuar se partia e tij është kundër regjistrimit aktiv të qytetarëve, ngase, sipas tij, një gjë që është obligim i shtetit dhe e drejtë e qytetarëve po vendoset krejtësisht në mënyrë të kundërt, duke u bërë obligim për qytetarët dhe e drejtë për shtetin.

Për paraqitjen e partive të reja në skenën politike, Xhaferi vlerësoi se kështu po fragmentizohet vota shqiptare dhe se më mirë do të ishte që këto subjekte të bëhen bashkë për ta unifikuar votën shqiptare. “Gjithsesi se paraqitja e partive politike në numër të theksuar siç është tani do të ndikojë në fragmentimin të votës shqiptare dhe për atë arsye ne gjithnjë, në çdo mundësi që kemi, bëjmë apel që ato subjekte që themelohen të bëhen bashkë që të kontribuojnë në unifikimin e votës shqiptare në Republikën e Maqedonisë”, vlerësoi në emisionin “10 Minuta” në TV 21 Xhaferi.

Për procedurat e hetimeve të përgjimeve nga Prokuroria Speciale, Xhaferi tha se BDI nuk ka arsye për tu frikësuar. Sipas tij, edhe kryetari Ahmeti edhe dhe partia e tij qysh në fillim kanë deklaruar se ai që ka përgjegjësi politike do të bartë përgjegjësi politike, kurse ai që ka përgjegjësi penale do të mbajë përgjegjësi penale. “Është çështje e përgjegjësisë individuale”, deklaroi Xhaferi.

Lajme të ngjashme

Back to top button